180 vende nënshkruajnë deklaratë politike për qasje të njëjtë ndaj vaksinave
New York, 28 mars - Rreth 180 vende nga 193 anëtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë politike që i angazhon të promovojnë qasje të barabartë ndaj vaksinave antiCOVID-19.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar që pavarësisht nga marrëveshjet ndërkombëtare, iniciativat dhe deklaratat e përgjithshme, shpërndarja e vaksinave COVID-19 mbetet e pabarabartë në të gjithë botën, si midis vendeve ashtu edhe brenda vendeve”, theksohet në deklaratë.
Shqetësimi lidhet gjithashtu me “faktin se një numër i konsiderueshëm i vendeve ende nuk kanë qasje në vaksinat COVID-19” dhe vendet nënshkruese “theksojnë nevojën për solidaritet global dhe bashkëpunim shumëpalësh për të rritur prodhimin dhe shpërndarjen rajonale dhe globale të vaksinave”.
Teksti specifikon se vendet nënshkruese të deklaratës janë të përkushtuar për ta trajtuar vaksinimin kundër COVID-19 si një të mirë publike globale duke garantuar qasje të përballueshme, të barabartë dhe të ndershme në vaksina për të gjithë, me COVAX si mekanizmi i duhur për ta garantuar atë. Nënshkruesit “inkurajojnë në mënyrë aktive ndarjen e dozave të vaksinave, nga të gjitha vendet në gjendje për ta bërë këtë, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, si edhe në vendet e tjera në nevojë.
Deklarata nënvizon angazhimin e nënshkruesve për solidaritet dhe intensifikim të bashkëpunimit ndërkombëtar për të siguruar mbrojtje për të gjithë, pavarësisht nga kombësia ose vendbanimi i tyre dhe pa ndonjë formë diskriminimi.