14 pacientë kosovarë udhëtuan për trajtim mjekësor në Turqi
Prishtinë, 14 shkurt - Katërmbëdhjet pacientë kosovarë, me probleme kryesisht në zemër, kanë udhëtuar sot për trajtim mjekësor jashtë vendit.
Trajtimi i tyre mjekësor do të bëhet në Spitalin Siyami Ersek në Stamboll. Po në këtë spital, në janar të këtij viti, janë trajtuar edhe shtatëmbëdhjetë pacientë të tjerë nga Kosova.
Këto dy grupe të pacientëve që janë dërguar për Trajtim Mjekësor Jashtë vendit në këtë periudhë të këtij viti, janë trajtuar, përkatësisht do të trajtohen në spitalin turk, pa pagesë, në kuadër të bashkëpunimit të mirë dhe përkrahjes që Qeveria e Turqisë dhe institucionet e saja shëndetësore ofrojnë për shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
Ndërkohë, pas miratimit të Udhëzimit Administrativ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Publike, spitalet private të Kosovës, do të bëhen shpejt pjesë në trajtimin e pacientëve me sëmundje që aktualisht nuk trajtohen në institucionet publike shëndetësore.