Hapet e Qendra Mjekësisë Familjare në lagjen e Muhaxherëve
Prishtinë, 20 qershor - Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DSHMS), Arben Vitia, sot ishin të pranishëm në hapjen e Qendrës së re të Mjekësisë Familjare (QMF), nr 11, në lagjen e Muhaxherëve.
Kryetari Shpend Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës një vit më parë zhbllokoi ndërtimin e QMF së në lagjen e Muhaxherëve duke larguar disa ndërtime në pronë komunale, ndërsa u zotuam se kjo kjo Qendër e Mjekêsisë Familjare do të përfundojë brenda afatit të kontratës.
Lirisht mund të them se kjo QMF është më e mira që ka Prishtina deri më tani. Në katin përdhesë do të jetë Bashkësia Lokale dhe qytetarët e kësaj lagjeje do të kenê shërbime më cilësore të shëndetësisë dhe shërbime më të mira administrative, tha Ahmeti.
Ndërsa, drejtori i DSHMS së, Arben Vitia tha se ky objekt në aspektin infrastrukturor i plotëson të gjitha kushtet sipas të gjitha standardeve, ndërsa profesionistët shëndetësor do të jenë në krye të detyrës për të ofruar shërbime sa më cilësore në këtë QMF.
Qendra e posahapur e Mjekësisë Familjare fillimisht do të fillojë shërbimet bazë të kujdesit parësor shëndetësor, ndërsa së shpejti pritet të fillojnë edhe shërbimet laboratorike, stomatologjike etj.