26 Dhjetor 2024

Vreshtat e verërave italiane në UNESCO

Romë, 3 nëntor - Në rajonin verior italian të Piemontes, të provosh verërat nuk ka qenë kurrë diçka kaq e kulturuar sa tani.

Vreshtat e atij rajoni kohët e fundit kanë marrë statusin e objektit të Trashëgimisë Botërore nga UNESCO. Kjo do të thotë që tani u takon banorëve të mbrojnë peizazhin dhe të ruajnë këtë status.

Pamjet piktoreske në Piemonten e jugut janë rrjedhojë e punës së disa brezave verëbërësish. Tokat dallohen për kodrinat e pjerrëta dhe arkitekturën mesjetare, të cilat japin disa nga verat e kuqe më të famshme në botë.

Ky mikrokozmos i natyrës me forma të dhëna nga njeriu, bindi Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për t’i dhënë Italisë titullin e saj të 50-të. Kjo e mban vendin në krye, me më shumë objekte të UNESCO-s në botë.

Por vetëm pamja nuk është e mjaftueshme, thotë presidenti i UNESCO-s për Italinë Giovanni Puglisi:

\"Për të qenë në listën e UNESCO-s, nuk është e mjaftueshme që një vend apo monument të jetë i bukur. Ne kemi dy kërkesa. Njëra është tipologjia unike. Kandidatura duhet të paraqesë karakteristika unike, të cilat nuk janë të pranishme në vende të tjera në listë. Së dyti, duhet të përfaqësojë një identitet të fortë kombëtar që vendi ku ndodhet ia trashëgon njerëzimit, si kujdestar i objektit,\" thotë ai.

Administratorët lokalë shpenzuan 10 vjet dhe më shumë se gjysmë milioni dollarë për të ndërtuar kandidaturën e tyre. Titulli i UNESCO-s zakonisht jepet për rrënojat e lashta apo arkitekturat spektakolare, por zonat Langhe-Roero dhe Monferrato e fituan atë për peizazhin prej rreth 10 mijë e 500 hektarësh me vreshta, që gjendet mes lumit Po dhe Apenineve të Ligurias.

Përreth kësaj hapësire ndodhet një zonë tjetër prej rreth 76 mijë hektarësh, e përbërë nga vreshta, qytete mesjetare dhe lugina që e mbrojnë dhe e plotësojnë peisazhin e UNESCO-s. Për organizatën, ky është një arketip i kantinave evropiane të verës.

\"Unë e di shumë mirë, bazuar në përvojën time prej shumë vitesh me UNESCO-n, që titujt e tillë duhet të mirëmbahen me kalimin e kohës. Nëse jemi në gjendje të arrijmë mirëqeverisje në të gjithë zonën, atëherë po, nuk duhet të shqetësohemi për asgjë. Do të jemi krenar për këtë sukses edhe pas shumë vitesh, sepse nuk ishim gjithmonë të sigurt se do të bëheshim një vend i UNESCO-s,\" thotë Roberto Cerrato, administrator i objektit të UNESCO-s.

Titulli i Trashëgimisë Botërore është gjithashtu pozitiv për shitjen e verës. Verërat e famshme si Barolo, Barbaresco, Barbera dhe Spumantja Asti, të gjitha të prodhuara në vreshtat e UNESCO-s, mund të mos kenë nevojë për publicitet shtesë, por një parashikim për rritje të turizmit nga 30 deri në 40 për qind, ka entuziazmuar disa prodhues të vegjël.

\"Ne do të donim që ky turizëm të kishte një qasje kulturore, që vizitorët të jenë të interesuar dhe për të lashtat, për produktet tona lokale, për jetën tonë shoqërore dhe jetesën rurale të këtyre zonave, të cilat me kalimin e kohës ishin në gjendje të mbanin të paprekur peizazhin,\" thotë Paola Abrigo, pronare e vreshtit dhe e verërave Abrigo.

Por ky peizazh nuk ofron vetëm verërat e famshme, të kuqe apo të bardha me gaz si Canelli dhe Spumante d\'Asti, por edhe zhardhokët e këpurdhave më të kërkuara në botë.

Piemontja e jugut ishte një vend tregtie për etruskët, Celtët dhe romakët. Në mesjetë, filluan të zhvilloheshin mozaikët e ngastrave, duke krijuar kantinat e para të verës në fshatrat e zonës.

Sipërmarrësi Ernesto Abbona, i shtëpisë së verërave Marchesi di Barolo, beson se titulli i UNESCO-s është një fitore edhe e paraardhësve të tij:

\"Më kujtohet se sa shumë punonin prindërit e mi dhe gjithashtu gjyshërit e mi, si dhe të gjithë njerëzit e brezit të tyre. Ata nuk ishin me aq fa sa jemi ne, që të ishin në gjendje të shihin këtë turizëm dhe të gëzonin frytet e punës së tyre, por ata dinin se si të punonin dhe punuan shumë për të transformuar këto toka,\" thotë ai.

Për njerëzit të cilët e kanë marrë brez pas brezi këtë trashëgimi, si Gaia Gaja, që është përfaqësuese e brezit të pestë të kantinës Gaja, e kaluara nuk do të bëhet barrë për të ardhmen, nëse verëbërësit mësojnë të aplikojnë bujqësisë e qëndrueshme.

\"Ne nuk duhet të fiksohemi tek e kaluara dhe të mbetemi të lidhur pas nostalgjisë, duke e kthyer veten në muze. Por duhet të zgjerohemi përmes koncepteve moderne që janë po aq të bukura,\" thotë ajo.

Rajonet Langhe Roero dhe Monferrato e fituan statusin e UNESCO-s në qershor të këtij viti, gjatë takimit të fundit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Doha të Katarit. Në mbarë botën, ka 981 vende në listën e UNESCO-s.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)