Tri kompani nga Kosova ekspozojnë në Panairin e Mobilerisë në Shkup
Këto tri kompani që marrin pjesë në panair janë: AHIKOS, DAQA dhe ELNOR qe do të ekspozojnë shumëllojshmëri të produkteve të tyre.
Gjatë muajit mars, kompanitë përpunuese të drurit nga Kosova kanë patur rastin të kenë ekspozim mjaft të mirë ndërkombëtar, fillimisht në Panairin Ndërkombëtar të Mobilerisë në Tiranë dhjetë ditë më parë, dhe tani në panairin e Shkupit thotë Arieta Vula-Pozhegu, Drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës.
Sipas saj, pjesëmarrja nëpër panaire të këtij kalibri është e një rëndësie të veçantë strategjike jo vetëm për kompanitë, por për të gjithë sektorin e përpunimit të drurit në përgjithësi.
Panaire të tilla bëjnë të mundur që produktet dhe cilësia e kompanive nga Kosova të bëhen të njohura jashtë vendit.
Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës është themeluar në vitin 2004 për të mbështetur përpunuesit e drurit në Kosovë dhe për të promovuar industrinë e përpunimit të drurit në vend.
Pjesëmarrja e kompanive u mbështet edhe nga programi EMPOWER Sektori Privat i USAID-it dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë KIESA.