Trepçë, prodhimi rritet për 5 për qind
Mitrovicë, 30 shtator - Ndonëse akoma nuk dihet nëse gjiganti më i madh ekonomik në Kosovë, Trepça do të shndërrohet në ndërmarrje publike apo edhe më tutje do të vazhdojë të menaxhohet nga AKP-ja, e cila ka marrë për obligim ta riorganizojë Trepçën deri më 2 prill të vitit të ardhshëm, prodhimi në vitin 2014 ka shënuar rritje të lehtë, për vetëm 5 për qind, krahasuar me tetë muajt e parë të vitit 2013.
Bislim Muça, zëdhënës i ndërmarrjes Trepça, tha se në dy minierat e Trepçës, në Stan Tërg dhe në Artanë, për tetë muaj të këtij viti janë prodhuar 128.600 tonë xehe, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë prodhuar 122.645 tonë xehe.
Do të thotë se ka një rritje të lehtë prej rreth 5 për qind, thotë zëdhënësi Muça, i cili shtoi se pas përpunimit të kësaj sasie xeherorësh, në fabrikat e pasurimit të Trepçës, në Tunel të Parë dhe në Kishnicë, janë përfituar 10.400 tonë koncentrat plumbi e zinku, që në fakt është prodhim final i kësaj ndërmarrje minerare. Koncentrati i plumbit dhe zinkut plasohet në tregun e jashtëm.
Sipas zëdhënësit Muça, këtë vit, ndërmarrja Trepça ka lidhur kontratë me kompaninë zvicerane Glencore Internacioanl-AG, për shitjen e koncentratit të plumbit, ndërkaq me kompaninë bullgare KCM-AD, për shitjen e koncentratit të zinkut. Sipas tij, kushtet për punë në minierat e Trepçës janë solide, ndërsa ka precizuar se në Trepçë, aktualisht punojnë 1471 punëtorë dhe se paga mesatare bruto e tyre është 579 euro, ndërsa ajo neto 511 euro.
Sa u përket mineraleve metalore, vendburimet më të rëndësishme të plumbit dhe zinkut gjenden në të ashtuquajturin Brez metalurgjik i Trepçës. Në këtë mes hyjnë miniera në Stan Tërg, Badovci, Kishnica, Artana, Belloberda dhe Cërnaci.
Sipas Strategjisë Minerare të Kosovës, miniera e Stan Tërgut me vendbanimit që e rrethojnë ka rezerva të metaleve në xehe prej 1.542.990 tonë plumb, 1.248.672 tonë zink dhe 2.634.294 kilogramë argjend.
Sipas kësaj strategjie, në minierën e Artanës, përmbajtja e arit është e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi më përbërjen më të lartë të arit në Kosovë dhe ka rreth 2700 kilogramë rezerva të arit.
Duke folur për procesin e riorganizimit, zëdhënësi i ndërmarrjes Trepça, tha se planin për ristrukturimin e saj e ka për detyrë ta bëjë AKP-ja, pasi që ajo menaxhon Trepçën.
Në fillim të këtij viti ka pasur një nismë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik që ta bëjë një ligj, me anë të të cilit ndërmarrja Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike, pra të hiqet nga administrimi i AKP-së.
Ligji ka kaluar vetëm leximin e parë në Kuvendin e Kosovës, por për shkak të zhvillimeve politike dhe shpërndarjes së parakohshme të Kuvendit, nuk ka arritur që të aprovohet.
Meqë kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj, e gjithë procedura e miratimit të këtij ligji, nëse ka vullnet politik nga Qeveria dhe Kuvendi i ri i Republikës së Kosovës, duhet të nisë nga e para, sqaron zëdhënësi i Trepçës, Bislim Muça.
Në anën tjetër, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme i ka dhënë afat AKP-së që ta riorganizojë Trepçën deri më 2 prill të vitit që vjen, por AKP-ja do ta ketë të vështirë që ta bëjë riorganizimin dhe rikonstruktimin e Trepçës, pasi që tani ka mbetur pa bord të kompletuar.
/Zëri/