Statuti i miratuar nga Qeveria rrezikon zhvillimin e Trepçës
Prishtinë, 5 qershor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti dhe drejtuesi i Komitetit për Industri, Nazmi Mikullovci, paraqitën në konferencë për media vërejtjet dhe shqetësimin e Lëvizjes në lidhje me statutin e ri të ndërmarrjes Trepça miratuar nga Qeveria e Kosovës.
Kryetari, Albin Kurti foli për rëndësinë që Trepça ka në zhvillimin e Republikës së Kosovës, rëndësi kjo që aspak nuk shprehet në statutin e ri të kësaj ndërmarrje.
“Për ne, Trepça është tri gjëra kryesore: e para kapacitet industrial prodhues, e dyta, pasuri minerare dhe e treta organizatë e punëtorëve. Statuti i ri, është i tillë që, në fakt nuk është përpiluar nga bordi mbikëqyrës i Trepçës siç do të duhej por ka ardhur aty i servuar nga Qeveria."
"Asetet të cilat përfshihen janë shumë të kufizuara: janë 3 miniera me flotacionet e tyre dhe eventualisht, vetëm pas një studimi të fizibilitetit të tyre janë edhe metalurgjia e plumbit, e zinkut dhe industria kimike që nuk është e sigurtë se në fund do të jenë të përfshira në ndërmarrjen e re publike “Trepça sh.a.”, tha Albin Kurti.
Drejtuesi i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje!, Nazmi Mikullovci foli për shkatërrimin sistematik që i është bërë Trepçës nga Qeveritë që vetëm kanë ndërruar fytyrat dhe strategjitë por gjithnjë në dëm të ndërrmarrjes e së fundi edhe përmes hartimit të statutit të ri që tenton t’i jep goditjen përfundimtare pasurisë më të madhe të Republikës së Kosovës.
“Me këtë statut Trepçës do t’i ndërprehet zhvillimi, duke e humbur industrinë dhe duke mbetur vetëm në bujqësi e xehtari. Në asnjë vend nuk përmenden pasuritë dhe investimet e Trepçës”, tha Nazmi Mikullovci.
Poashtu ai theksoi edhe faktin se ky statut i ri rregullon zgjedhjen e Bordit, që ka 9 anëtarë, 3 prej të cilëve thuhet se duhet të jenë serbë, mirëpo po të njejtit kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij bordi. Kësisoj qëllimi dhe rezultati i këtij ligji të ri do të jetë ndarja e Trepçës.
Në statut gjithashtu nuk përmenden fare mijëra hektarë tokë, objekte të ndryshme në Kosovë dhe vende të ish-Jugosllavisë, pasuri këto të ndërmarrjes Trepça, të cilat janë duke shkuar drejt likuidimit.
Në lidhje me këtë çështje, Lëvizja Vetëvendosje!, nesër do ta mbajë një tryezë me ekspertë dhe njohës të kësaj fushe për të diskutuar edhe më tutje për zhvillimin dhe mbrojtjen e Trepçës.