Sot nënshkruhet kontrata për fabrikën e riciklimit te mbeturinave
Investimi që kompania e lartpërmendur do të bëjë në këtë projekt, arrin shumën prej 43 milionë euro.
Përfaqësuesit e Kompanisë Amerikano-Suedeze Green 3Power, Neil Williams, drejtor, Tom Roberts, menaxher dhe Jashar Jashari, agjent i kompanisë, kanë arritur në Mitrovicë për të nënshkruar kontratën për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë elektrike prej 12 megavatesh.
Ata të premten janë pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i cili i ka njoftuar ata me përgatitjet e bëra nga komuna, për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e fabrikës së lartpërmendur në vlerë prej 43 milionë euro.
Tashmë Kuvendi i Komunës, ka marrë vendimin për tua ndarë tokën e kërkuar prej 10 hektarësh për ndërtimin e fabrikës. Në Zonën e Lirë Ekonomike, ku do të jetë fabrika, është duke u bërë gati infrastruktura, ndërkohë që tenderi për ndarjen e trojeve për biznese është i hapur, ka thënë kryetari Bahtiri.
Kryetari Bahtiri po ashtu, mysafirët i ka njoftuar kontaktet dhe bisedat që ka pas me Ministritë përkatës dhe KEDS-in, për ti njoftuar lidhur me investimin e tyre në Mitrovicë dhe për të qenë në shërbim të investitorëve kur është fjala për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për ndërtimin e fabrikës dhe fillimin e punëve.
Drejtori i Kompanisë Green 3Power, Neil Williams, tha se beson se ndërtimi i fabrikës është në interes të të gjithëve, e para së gjithash në interes të qytetarëve të Mitrovicës. Unë jam i bindur se nëse bashkëpunojmë ngushtë, do ti arrijmë synimet e përbashkëta, tha ai.
Kryetari Bahtiri dhe drejtuesit e Kompanisë Green 3Power, kanë dalë në Zonën e Lirë Ekonomike, për ti shikuar punimet që po bëhen aty për rregullimin e infrastrukturës, si dhe për të caktuar lokacionin se ku do të vendoset fabrika.