Shumë shpejtë Koshtova do të ketë ujë të mjaftueshëm për pije
Mitrovicë, 1 tetor - Zgjidhja e problemit të ujit për pije në fshatin Koshtovë, ka qenë temë bisedimi në takimin e përbashkët të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, me drejtorin e Ujësjellësit Rajonal të Mitrovicës dhe përfaqësuesit e fshatit Koshtovë.
Përfaqësuesit e fshatit Koshtovë edhe njëherë theksuan nevojën e domosdoshme që të kenë uji për pije dhe të kualitetit cilësor. Ata thanë se ka më shumë se tetë vjet që kur kanë filluar angazhimet e komunës, ujësjellësit dhe të fshatit për të realizuar projektin për furnizim me uji të pijes, por që deri më tani nuk është arritur qëllimi.
Ata poashtu thanë se atyre nuk iu intereson se nga cili burim do të mirret uji, por duan më në fund që fshati të ketë uji të pijes dhe sipas standardeve të kërkuara. Sipas tyre, premtimet e dhëna për rregullimin e ujësjellësit kanë dështuar deri tash dhe pa fajin e tyre.
Drejtori i Ujësjellësit Rajonal, Faruk Hajrizi, tha se ka pas përpjekje të vazhdueshme që projekti të vazhdohet por kjo nuk është arritur për shkak të shumë problemeve që ka ujësjellësi, duke përmendur edhe mosgatishmërinë e banorëve të fshatit për të participuar në projekt dhe për të paguar ujin e shpenzuar.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi që dëgjoj drejtorin e ujësjellësit dhe përfaqësuesit e fshatit, tha se pa marrë parasysh pengesat dhe problemet që janë paraqitur deri tash, banorët e Koshtovës duhet të kenë uji për pije sa më parë që është e mundur.
Komuna dhe ujësjellësi duhet të gjejnë mjetet për realizimin e projektit, ndërsa banorët duhet të paguajnë vetëm shumën për të cilën pajtuar fillimisht dhe jo që kjo shumë të rritet apo të ketë edhe shpenzime të tjera. Unë marrë përgjegjësin që komuna të paguaj pjesën më të madhe të mjeteve për projektin, ndërsa ujësjellësi të bëjë punët tjera që nuk kanë implikime buxhetore, tha Bahtiri.
Si përfundim nga ky takim, me dakordimin e të trija palëve, doli se banorët e fshatit duhet të bëjnë pagesën për kyçje, komuna të siguroj gypin dhe mjetet tjera, ndërkaq punët e tjera mbeten përgjegjësi e Ujësjellësit Rajonal. Punët për realizimin e projektit u tha se duhet të vazhdojnë menjëherë dhe pritet që projekti të përfundoj më së largu gjatë muajit nëntor.