Shqetësime për mungesën e ujit në Gjermani
Berlin, 15 nëntor - Ngjarjet ekstreme të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, nuk sjellin vetëm stuhi të forta, por nganjëherë ato nënkuptojnë të kundërtën.
Në Gjermani, një verë e nxehtë dhe e thatë ka bërë që uji i lumenjve të bjerë në nivele të ulta dhe ky problem po shqetëson gjithë ekonominë e vendit.
Rrugët e brendshme ujore të Gjermanisë shërbejnë si arterie të rëndësishme ekonomike. Përmes tyre, shpërndahen brenda vendit mallra me vlerë prej miliona dollarësh që mbërrijnë në portet e Gjermanisë.
Por këtë vit, nivelet e ujrave të lumenjve kanë rënë jashtzakonisht shumë në disa pjesë thellësia është vetëm 20 centimetra.
Kjo e bën më të vështirë për të sjellë mallrat në breg, sepse anijet e ngarkuara nuk mund të afrohen për t’u ankoruar.
"Të gjitha varkat që janë aktualisht në lundrim në lumin e Rinit po punojnë papushim për të transportuar mallra që normalisht transportohen me pak anije. Tani për tani gjithçka që mund të qëndrojë mbi ujë po ngarkohet". Dhe jo vetëm që do të thotë mungesa mallrash, por gjithashtu do të thotë që çmimet do të rriten sepse kërkohen më shumë anije dhe më shumë karburant për të lëvizur mallrat.
"Për shembull, stacionet e karburantit rreth Këlnit nuk kanë më karburant të mjaftueshëm për të gjitha llojet e automjeteve, prandaj ekziston një mungesë".
Një pjesë e problemit është viti pa shira, por studimet sugjerojnë se ndryshimi i klimës gjithashtu po luan rol, duke parashikuar se thatësira mund të bëhet gjë e zakonshme. Në Berlin, Derk Ehlert i Departamentit të Mjedisit shpjegon:
"Në lindje të Gjermanisë zakonisht bien pak rreshje dhe këtë vit, gjatë verës, pothuajse nuk pati fare shi, gjë që shkaktoi rënien e nivelit të ujit. Edhe këtu në Berlin, niveli i ujit të lumit Spree, ku po qëndrojmë tani, është i ulët ".
Dhe nuk është vetëm tregtia, nivelet e ulëta të lumenjve po i shtyjnë disa pjesë të rajonit afër mungesës së ujit.
"Parashikimet, të paktën deri në nëntor, janë se niveli i ujrave në Berlin do të jetë në nivele të pranueshme. Megjithatë, nëse rreshjet nuk do të jenë në kuota normale, do të kemi mungesë uji dhe do të na duhet ta kursejmë. " Fermerët gjermanë po ndjejnë gjithashtu mungesën e shiut dhe mijëra ferma janë duke u përballur me mundësinë e falimentimit.