23 Dhjetor 2024

Qeveria përkrah përpunuesit e drurit dhe prodhuesit tjerë të Ferizajt

Ferizaj, 11 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e Qendrës së përpunuesve të drurit në Greme të Ferizajt.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe kryesuesi i Njësisë së Operacioneve të Zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore e lokale, përpunues të drurit dhe qytetarë të Ferizajt.

Kryeministri Isa Mustafa, para të pranishmëve e ka quajtur projekt tepër të rëndësishëm për Ferizajn dhe për zhvillimin e industrisë së drurit në Ferizaj.

Duke vlerësuar përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe të organizatave tjera për mbështetjen, kryeministri shprehu interesimin e Qeverisë që të përkrah të gjitha projektet dhe programet e zhvillimit ekonomik, duke i dhënë përparësi atyre fushave në të cilat bizneset kosovare janë më konkurrentë në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, tha se duhet të shfrytëzohen njohuritë dhe teknologjitë më të avancuara në këtë drejtim.

“Ne mendojmë se kjo qendër është një prej atyre instrumenteve që do të na mundësojë të avancojmë përpunimin e drurit, të avancojmë me aftësitë tona konkurruese në këtë fushë dhe t’i japim vendit një nxitje të zhvillimit ekonomik”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa ka vizituar ambientet e brendshme të Fabrikës dhe mjetet shumë moderne të punës në të si dhe ka vizituar Fabrikën e Mobileve “Profil Star”.

Pas vizitës, kryeministri Mustafa dhe kryetari Svarqa, shprehën përkrahjen e tyre për prodhuesit në Ferizaj dhe më gjerë.

Kryetari Svarqa, e falënderoi kryeministrin Mustafa për përkushtimin maksimal me të cilin po e udhëheq Qeverinë dhe përkrahjen e madhe që po jep për përpunuesit e drurit dhe prodhuesit tjerë, për përkrahjen e të gjitha investimeve, investimeve infrastrukturore, në zgjerimin e hapësirave shëndetësore e fusha të tjera në Ferizaj.

“U dakorduam me kryeministrin Mustafa, se të gjitha veprimtaritë që ndihmojnë në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale dhe në hapjen e vendeve të reja të punës, t’iu ndihmojmë dhe t’i bashkërendisim të gjitha veprimet edhe për realizimin e të gjitha programeve qeverisëse edhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe të Komunës së Ferizajt, si pjesë rrjedhëse e institucionit më të lartë qeverisës”, tha Svarqa.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar për zhvillim ekonomik dhe social të kësaj Komune.

“Jemi këtu që të promovojmë projektet të cilat mbështesin përparësitë krahasuese që kjo komunë ka në Kosovë, por edhe në regjion, që i përkasin prodhimit, përkatësisht procesimit të drurit, sepse kemi përpunues të mrekullueshëm, përvojë dhe traditë të gjatë për përpunimin e drurit këtu dhe kemi një konkurrencë të madhe. Në këtë fabrikë në të cilën gjendemi, dëgjuam se ata po eksportojnë mbi 20 për qind të produkteve të tyre në Zvicër dhe Gjermani dhe është fakt i pamohueshëm i cilësisë argumenti se njerëzit tanë arrijnë të eksportojnë produktet e tyre në këto tregje tepër të rëndësishme evropiane”, tha kryeministri.

Duke folur për infrastrukturën përkatësisht autostradën që kalon pranë Ferizajt, kryeministri tha se duhet të shikohet që të ketë një lidhje racionale me qytetin e Ferizajt.

“Kemi pasur kërkesë edhe të kryetarit të Komunës, kemi biseduar edhe me ministrin e Infrastrukturës, duhet të bisedojmë edhe me ekzekutuesit e punimeve, sepse e dini që kontrata është e lidhur, sepse çdo ndërhyrje në projekt dhe kontratë, krijon shpenzime shtesë, për të cilat ne duhet të gjejmë shtesë. Por, do të bëjmë një përpjekje maksimale që të kemi një qasje racionale të qytetit të Ferizajt në autostradë, që qyteti i Ferizajt të përfitojë nga autostrada e kurrsesi të ketë probleme të komunikacionit”, tha kryeministri.

Lidhur me çështjen e demarkacionit, kryeministri Isa Mustafa tha se me rëndësi është që qytetarët ta dinë të vërtetën se Komisioni Shtetëror ka ofruar të gjitha dëshmitë lidhur me të vërtetën mbi këtë.

“Është e pamohueshme, pa marrë parasysh kush çka thotë, se Kosova nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë në demarkacion. Është po ashtu e pamohueshme se Komuna e Pejës nuk e humb asnjë pëllëmbë tokë dhe meqenëse problemi ndërlidhet me regjionin ku është Komuna e Pejës, atëherë vetëm të dëshmojë dikush se kjo komunë është më e vogël se 603 kilometra katrorë me këtë demarkacion dhe ne marrim përgjegjësinë.\"

\"Por, këto janë të qarta, për mua janë të pakuptimta insistimet e mëtutjeshme të njerëzve në këtë temë. Unë pres që deputetët ta votojnë, sepse nuk shoh asnjë arsye që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës mos të votojnë që Kosova të ketë kufij ndërkombëtarë. Ne jemi bërë shtet dhe ne dëshirojmë që ky shtet të ketë kufij ndërkombëtarë me Malin e Zi, kufij ndërkombëtarë me Maqedoninë, do të kemi kufij ndërkombëtarë me Shqipërinë, sepse ata kufij edhe më parë kanë qenë ndërkombëtarë, sepse kanë qenë kufij mes dy shteteve dhe do të kemi kufij ndërkombëtar në të ardhmen me Serbinë dhe, këta kufij ne do t’i depozitojmë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që edhe atyre t’iu themi se ne e kemi përfunduar çështjen e kufijve dhe ne jemi në gjendje dhe e meritojmë të pranohemi edhe nga Kombet e Bashkuara si shtet.\"

\"Po ashtu, kemi arsyen tonë që të luftojmë që qytetarët tanë, ju të gjithë këtu, edhe këta biznesmenë që janë këtu afër nesh, të qarkullojnë pa viza në vendet e BE-së. Kush mund të marr nesër përgjegjësi që t’i mbajë të ngujuar qytetarët tanë për teke dhe për kërkesa që janë irracionale dhe i përkasin një kauze e cila është e paqëndrueshme. Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë, në mënyrë që të komunikojmë me opinionin, në mënyrë që opinioni të ketë sa më shumë informata dhe besoj se më 1 shtator kjo punë të jetë e përfunduar. Besoj se me këtë datë, qytetarët e Republikës së Kosovës do të fillojnë t’i gëzohen të ardhmes së tyre, sepse pas datës 5 shtator mund të jepet propozimi nga Komisioni Evropian për Siguri, i cili është komision kompetent për migracion, që t’i propozojë Parlamentit Evropian për heqjen e vizave. Ne nuk guxojmë të rrezikojmë këto procese shumë të rëndësishme për Republikën e Kosovës dhe nuk guxojmë të hyjmë në një dialog të brendshëm, i cili nuk na nxjerrë askund”, tha kryeministri Mustafa.

Lidhur me riformatimin e Qeverisë, kryeministri Mustafa tha se po punohet me partnerin qeverisës lidhur me format e riformatimit.

“Mendoj se posa ta përfundojmë çështjen e demarkacionit, do t’i qasemi seriozisht dhe do ta bëjmë një riformatim të Qeverisë, i cili nuk do të nënkuptojë vetëm riformatim teknik të Qeverisë, por nënkupton edhe një riformatim substancial dhe të kostos. Duhet të bëjmë edhe reformimin e agjencioneve qeveritare, agjencioneve të pavarura.\"

\"Duhet po ashtu të gjejmë mënyrën se si të zgjedhim anëtarët e bordeve për kompani publike dhe pavarura, sepse ka pasur vërejtje që kanë qenë prej jush, prej mediave, shoqërisë civile, të cilat ne do t’i kemi parasysh dhe do të gjejmë mënyrën më të mirë që të krijojmë transparencë të plotë para mediave, para publikut, para qytetarëve dhe shoqërisë civile, për cilësitë e njerëzve që nesër do të jenë anëtarë të bordeve të kompanive publike, sepse jam shumë i bindur që do t’i kontribuojë punës më të suksesshme të këtyre kompanive”, tha kryeministri.

Lidhur me ratifikimin ose jo të demarkacionit në Kuvend, kryeministri Mustafa, tha se duhet të bëhen përpjekje maksimale që të kalojë duke shprehur bindjen se kjo është në dobi të Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)