Qeveria ndalon përkohësisht eksportin e drurit
Prishtinë, 7 maj - Në mbledhjen e sotme Qeveria ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të eksportit të masës drusore si lëndë e pa përpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera, për arsye të dëmtimit në sektorin e përpunimit të drurit në Kosovë. Po sot, kabineti qeveritar mori vendim për vazhdimin e mandatit të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish të Dënuarve dhe të ish të Përndjekurve Politikë.
Me vendim të Qeverisë u ndanë mjete për pagesën e punonjësve me kontrata për shërbime të veçanta në rezidencën presidenciale “Ibrahim Rugova”, në vlerë prej 57, 944.38 euro.
U miratua edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës së Komunës së Istogut për shpronësim për interes publik të objekteve të vjetruara të cilat janë nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të cilat preken nga realizimi i projektit “Rregullimi i Qendrës së Qytetit në Istog”, konform Planit Zhvillimor Komunal 2018-2026.
Aprovimin e kabinetit qeveritar e morën Nismat për lidhjen e marrëveshjes dy palëshe për qarkullimin ndërkufitar të mbeturinave, respektivisht eksportin dhe importin e mbeturinave me Republikën Federale të Gjermanisë dhe Republikën e Kroacisë.
Aprovimin e Qeverisë e mori Koncept-Dokumenti për Politikën: Aplikimi për vende pune nga pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, që posedojnë diploma të lëshuara nga institucionet paralele arsimore në Republikën e Kosovës, ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe. Qëllimi i këtij koncept dokumenti është që të propozojë një zgjidhje për rregullimin e çështjes së arsimit në gjuhën serbe që do t’ua mundësojë shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët kanë marrë diploma të lëshuara nga institucionet paralele arsimore në Republikën e Kosovës ku zhvillohet mësimi në gjuhën serbe që të aplikojnë për punësim dhe për marrjen e licencave dhe provimeve profesionale dhe për çështje tjera për të cilat është e nevojshme për integrim social si dhe të shqyrtojë gjendjen e përgjithshme të institucioneve në të cilat zhvillohet mësimi në gjuhën serbe.
Kabineti qeveritar ka aprovuar Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Jo-formale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizimit dhe Krimeve Financiare 2019-2023 dhe Planin e Veprimit 2019-2021. Ky dokument mbulon tërësinë e masave që Qeveria synon të realizojë përmes institucioneve të saj ligj zbatuese parandalimin e të gjitha formave të ekonomisë joformale, parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe Krimeve Financiare në sektorë të ndryshëm të aktiviteteve ekonomike në Kosovë.
Në mbledhjen e sotme u mor vendimi për emërimin e Drin Haraçia, Drejtor i Përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në këtë mbledhje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u prezantua Raporti për Funksionimin e Kuvendeve të Komunave për periudhën janar-mars 2019. Ky raport ka për qëllim informimin e drejtë të institucioneve qendrore, për nivelin e funksionimit të organeve vendimmarrëse të komunave, në të cilin janë përfshirë të dhënat për 38 komuna të Republikës së Kosovës.
Poashtu, kabineti qeveritar mori vendim për inicimin e Procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit të kontratës për shërbime këshillimore juridike, për nevoja të Termocentralit “Kosova e Re”.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, informoi kabinetin qeveritar lidhur me përzgjedhjen e kompanisë “General Electric”, si ofertuesi i preferuar në tenderin për Inxhiniering, Prokurim -Ndërtim dhe Mirëmbajtje afatgjate, të Termocentralit “Kosova e Re”.
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, informoi kabinetin qeveritar mbi mbajtjen e Garave Nacionale të Diturisë nga klasa I deri në XII.