25 Dhjetor 2024

Prodhuesit vendorë nuk stimulohen për të investuar në Kosovë

Prishtinë, 3 mars - Prodhuesit vendorë nuk janë duke u stimuluar ashtu siç kërkohet për të invesutar në Kosovë. Cila është arsyeja që prodhuesit vendorë kanë filluar të investojnë në vendet e rajonit dhe jo në Kosovë?

Ku qëndron arsyeja që prodhuesit në Kosovë të mos stimulohen me forma të ndryshme, duke i përkrahur dhe stimuluar ata për të investuar këtu në Kosovë, siç bëjnë vendet e rajonit? Rreth këtyre çështjeve, në një intervistë për revistën portalin KastriotiPress ka folur drejtori i Fabrikës së Barnave “Trepharm”.

KastriotiPress: Sa është i favorshëm ambienti biznesor për prodhuesit vendorë në Kosovë?

Mërgim Prishtina: Klima apo ambienti biznesor i krijuar në Kosovë për prodhuesit vendor, përkatësisht për industrinë vendore, është i disfavorshëm, ngase favorizohet importi i produkteve të jashtme dhe plasimi i tyre në tregun vendor, në Republikën e Kosovës. Në këtë mënyrë duke krijuar ambient të disfavorshëm për prodhuesit vendor, atyre po u krijohen vështirësi dhe barriera në prodhim.

Pjesa e parë e ambientit biznesor është infrastruktura, e cila mungon, siç janë parqet e biznesit dhe zonat e lira ekonomike, ku jepet tokë për investitorin pa asnjë investim, siç i kanë vendet e rajonit, ku për bizneset që duan të investojnë në to ipet tokë pa investim apo 1 euro 1 ari, siç e ka Maqedonia, të cilën tokë investitori mund të kompensojë dhe ta jap edhe si kolateral për marrjen e kredive në banka për zgjërimin e biznesit të tij.

 Në këtë aspekt Kosova ka ngecur prapa, ka pasur pak investime në këtë, por nuk ka pas ndonjë investim më të madh dhe serioz në këtë, pos Parkut të Biznesit në komunën e Drenasit.

KastriotiPress: Për çfarë arsye nuk ka investime të reja në sektorin e prodhimit në Kosovë nga investitorët e brendshëm, kur disa prej tyre tashmë kanë filluar të investojnë në vendet e rajonit, sikurse në Maqedoni, Bullgari, Mal të Zi, etj.?

Mërgim Prishtina: Investime nuk ka për arsye se politikat fiskale janë në disfavor të industrisë prodhuese. Ka edhe vështirësi të tjera për bizneset prodhuese. Një ndër to është edhe importimi i lëndës së parë për prodhuesit vendor. Sa i përket investimeve në vend, mund të thuhet se ato janë të pakëta. Për çfarë arsye nuk ka investime në Kosovë?

Nuk ka investime në vend për arsye të politikave fiskale që janë në Kosovë, të cilat janë në disfavor të prodhimit, në disfavor të industrisë prodhuese, duke filluar nga importi i lëndës së parë e cila tatimohet, kurse lënda e parë nuk ka logjikë të tatimohet, sepse në asnjë shtet të botës, madje as në shtetet e Afrikës, nuk ka tatimim apo taksë për import të lëndës së parë, njëjtë sikurse produktet e importit.

Nga kjo del se nuk ka kushte as favorizime për prodhuesit vendorë. Prandaj shtrohet pyetja për çfarë arsye të prodhohet në Kosovë dhe cilat janë motivimet që të investohet në Kosovë në industrinë e prodhimit.  

KastriotiPress: Sa i rëndon prodhuesit vendorë tatimimi i lëndës së parë të importuar?

Mërgim Prishtina: Po. Kjo i rëndon shumë prodhuesit vendorë dhe bën që ata të hezitojnë të investojnë në Kosovë në sektorin e prodhimit. Ata i shtrojnë pyetjen vetes: për çfarë arsye të investojë në Kosovë, kur nuk kam mbështetje dhe stimulim për këtë? Gjendja e investimit në prodhim në Kosovë është edhe më katastrofale se sa në vendet e rajonit apo edhe në vendet tjera evropiane.

Për industrinë prodhuese në Kosovë, gjendja është edhe më katastrofale, kur produkti final lirohet prej TVSH-së, kurse lënda e parë ngarkohet me TVSH, kurse shpeshherë lënda e parë tatimohet edhe me doganë, që bën që prodhuesit vendorë të jenë në disfavor të rritjes së prodhimit.

Kështu që ende pa u futur në prodhim, investitori i biznesit prodhues dëmtohet që në start me importin e lëndës së parë. Lënda e parë është në disfavor me 27 apo 28 % nga produkti final e jo në favor të investitorit prodhues, derisa krejt bota janë në favor të tyre e ne jemi në disfavor. Kjo më së shumti i rëndon prodhuesit vendorë dhe i destimulon.

KastriotiPress: Prodhuesit vendor a kanë vështirësi të tjera pos politikave fiskale, sikurse importimi i makinave prodhuese apo kanë edhe ndonjë vështirësi tjetër, të ndonjë natyre tjetër?

Mërgim Prishtina: Po, është e vërtetë se prodhuesit vendorë kanë edhe vështirësi të tjera. Shpeshherë industritë prodhuese specifike, siç është industria farmaceutike, nuk kanë kode tarifore në doganën tonë që e identifikon mirë edhe burimin. Kështu që, në këtë rast, në linjat e prodhimit tonë ku i kemi tash, e kemi një investim të ri të gjashtë linjave, ku në rastin tonë e gjithë kjo teknologji, kjo makineri prodhuese, pos TVSH-së ngarkohet edhe me doganë.

Kështu që kjo ngarkesë automatikisht të vendos jashtë lojës për të investuar në linjat e reja prodhuese dhe për të vazhduar procesin e prodhimit, si një prodhues i suksesshëm vendor. Në këtë rast, ta merr TVSH-ën për makineri prodhuese që në kufi dhe me këtë të bllokon për të ecur më tutje dhe për të investuar në prodhim.

Kështu që, duhet urgjentisht që TVSH-ja dhe dogana të largohen nga importi i makinerisë prodhuese. Kjo do të ndikonte shumë në stimulimin e investitorëve vendorë që të investojnë në Kosovë dhe jo jashtë vendit nëpër vende të rajonit, sikurse në Maqedoni, Bullgari, Mal të Zi, etj.

Një vështirësi tjetër që i rëndon prodhuesit vendor është edhe kontrollimi i cilësisë së produkteve. Kontrolli i ushqimit dhe barnave në Kosovë është në minimum. Bëhen disa analiza rutinë, të cilat nuk kanë ndonjë siguri të mjaftueshme, nuk kanë ndonjë kontroll të mjaftueshëm që mund të garantojë që produktet ushqimore dhe farmaceutike që gjinden në treg, janë produkte të sigurta, që të paktën e mbrojnë prodhuesin vendor nga cilësia e keqe e produkteve të importit.

Kjo është shumë e rëndësishme për prodhuesit vendorë që të nxiten dhe stimulohen për të prodhuar produkte cilësore, që të kemi produkte vendore në treg, që me këtë ta rrisim dhe zhvillojmë ekonominë e vendit, sepse ekonomia rritet dhe zhvillohet vetëm me prodhim vendor dhe jo me tregtim të mallrave, gjegjësisht me import.

KastriotiPress: Shumë produkte importohen nga jashtë dhe hyjnë në tregun e Kosovës. Sa i dëmton kjo prodhuesit vendorë?

Mërgim Prishtina: Në tregun e Kosovës shpeshherë është keqkuptuar fjala ‘tregu i lirë’, ngase Kosova nuk është treg i lirë, por është treg i shfrenuar, është treg i pa kontrolluar dhe është treg jashtëzakonisht i hapur, në të cilin çdo kompani e botës, çdo delegacion biznesor që ka ardhur në Kosovë dhe kanë parë se si i kemi pritur, edhe bizneset, edhe populli, kanë parë se në këtë vend mund të plasohen produktet e tyre të cilat në vendet e tyre u kanë mbetur sasi pa u shitur dhe u del më lirë për t’i dërguar në Kosovë se sa për t’i shkatërruar në vendet e tyre.

Kontrollimi i mallrave që importohen në Kosovë dhe procedurat për cilësi në kufi, për aplikimin e kritereve më të rënda, bëjnë që të mbrojnë qytetarët e Kosovës me produkte cilësore, por njëkohësisht edhe prodhuesit vendorë. Këtu mund të gjindet tregu për produktet e tyre nga vendet e rajonit dhe vendet evropiane, sikurse Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Hungaria, Italia, Turqia, Gjermania, etj., nga të cilat shtete ka shumë produkte në tregun e Kosovës.   

KastriotiPress: Investitorët vendorë tash në kohët e fundit kanë filluar të investojnë në vendet e rajonit dhe jo në Kosovë, sikurse në Maqedoni, në Mal të Zi, në Bullgari, etj. Cilat janë arsyet kryesore të tyre për të investuar jashtë vendit, për këtë hap jo të favorshëm për ekonominë e Kosovës?

Mërgim Prishtina: Përveç politikave fiskale dhe kushteve tjera jo të favorshme të ambientit biznesor që ekziston në Kosovë, këtë hap të padëshiruar, pra investimet e investitorëve të vendit nëpër vendet e rajonit, e bëjnë se janë të detyruar dhe jo se dëshirojnë, sepse atje ato vende u ofrojnë kushte shumë të favorshme për të investuar në vendet e tyre.

Edhe ata vetë që investojnë atje, nuk kanë dëshirë që të investojnë në ndonjë vend tjetër pos vendit të vetë, por për këtë janë të detyruar që të mund të ekzistojnë si prodhues. Pos kësaj, prodhuesit vendorë në ato vende gjejnë kushte të mira dhe të favorshme për të investuar atje. Pra, politikat fiskale shumë të favorshme dhe kushtet që u ofron shteti i atij vendi ku investojnë, janë tepër stimuluese.

Pos kësaj, Bullgaria është vend i BE-së dhe prodhimet e tyre me emrin Made in EU, menjëherë i bën produktet e tyre që t’i kenë dyert e hapura dyert e tregut në gjithë botën, që produktet e tyre të depërtojnë lehtë në një treg shumë të gjerë, në tregun evropian por edhe në tregun botëror.

Përveç kësaj Maqedonia nëse i punëson 100 persona, pos tokës që ta jep falas, t’i jep edhe 500 mijë euro subvencione për të investuar në ndërtimin e objektit të fabrikës.  Këto janë vërtetë kushte që të nxisin për të investuar atje. Ndërsa, Kosova në këtë drejtim ka ngecur prapa dhe nuk po arrin që ende të stimulojë investitorët e brendshëm, por edhe ata të jashtëm, që të investojnë në Kosovë.

Pos kësaj Maqedonia ta jep falas tokën ku e ndërton fabrikën, ta jep 1 ari 1 euro, që është edhe më mirë se falas, sepse ti me këtë euro bëhesh pronari dhe këtë tokë mund ta lësh edhe hipotekë në bankë për marrjen e kredive në banka.

KastriotiPress: Cilat janë vështirësitë tjera të prodhuesve vendorë me të cilat ballafaqohen ata si prodhues? Cili do të ishte mesazhi i juaj si prodhues për prodhuesit vendorë?

Mëergim Prishtina: Prodhuesit vendorë duhet të jenë më të zëshëm për çështje të tyre, duhet të bashkohen mes veti, duhet të jenë unik dhe të krijojnë një asociacion vetëm për industrinë prodhuese vendore. Më së miri do të ishte sikur të krijohej një asociacion i tillë unik i prodhuesëve vendor, i cili do të ishte i fuqishëm, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha bizneset prodhuese të Kosovës. Përmes këtij asociacioni do të identifikoheshin të gjitha problemet dhe vështirësitë e prodhuesëve vendorë, ndërsa pos kësaj do të gjindeshin modalitetet për zgjidhjen e tyre.                                                                                            

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)