21 Dhjetor 2024

Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje ka ecur me ritëm mjaft të ngadaltë

Prishtinë, 17 maj - Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje, sipas informatave të pranuara nga shumica e komunave në Kosovë, deri më tani ka ecur me ritëm mjaft të ngadaltë. Sikurse numri i aplikimeve, ashtu edhe numri i ndërtesave të legalizuara janë simbolike në raport me numrin e objekteve pa leje në regjistrin përkatës.

EC Ma Ndryshe ka kërkuar informata nga 30 komuna të Kosovës lidhur me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, ku 23 prej tyre kanë ofruar të dhëna lidhur me rrjedhën e deritanishme të trajtimit të ndërtimeve pa leje.

Bazuar në të dhënat e pranuara prej 23 komunave, del se deri në mars të vitit 2021 janë pranuar gjithsejtë 5,758 aplikime për legalizim, prej të cilave 2,178 janë legalizuar, ndërsa 1,148 janë në listë të pritjes dhe 38 kërkesa janë refuzuar.

Komuna e Prishtinës kryeson me 2,061 aplikime për legalizim, përderisa numri i objekteve të legalizuara në këtë komunë përbën shifrën 650, pastaj vijnë: Komuna e Prizrenit me 1,390 aplikime për legalizim dhe 248 objekte të legalizuara, Komuna e Vushtrrisë  me 387 aplikime për legalizim dhe 130 objekte të legalizuara, Komuna e Pejës me 346 aplikime për legalizim dhe 201 objekte të legalizuara, Komuna e Ferizajt me 302 aplikime për legalizim dhe 302 objekte të legalizuara, Komuna e Mitrovicës së Jugut me 349 aplikime për legalizim dhe 181 objekte të legalizuara, etj.

Vijojnë edhe komunat me shifra dukshëm më të ulta, si Komuna e Hanit të Elezit me 10 aplikime për legalizim dhe 5 objekte të legalizuara, Komuna e Deçanit me 6 aplikime për legalizim dhe 5 objekte të legalizuara, Komuna e Junikut me 4 aplikime për legalizim dhe 3 objekte të legalizuara, Komuna e Dragashit me 4 aplikime dhe 1 objekt të legalizuar.

Në vitin 2016, sipas regjistrit të ndërtimeve pa leje në Kosovë janë evidentuar 352,836 ndërtime  pa  leje, prej të cilave, deri në atë vit janë legalizuar 8,461 sosh.

Për shkak të numrit të ulët të aplikimeve dhe legalizimeve, ishte miratuar ligji i ri për trajtimin e ndërtimeve pa leje, që ka hyrë në fuqi në verë të vitit 2018, dhe i cili synonte trajtim gjithëpërfshirës të ndërtimeve pa leje, si dhe krijimin e procedurave të thjeshtëzuara për ta mundësuar legalizimin dhe për të ndihmuar qytetarët që të realizojnë përfitime nga ndërtimet e tyre.   

Dispozitat e këtij ligji përcaktojnë se aplikacionet  për  certifikatë  legalizimi  dhe  për  leje  legalizimi  për  përfundim  të  ndërtimit mund të dorëzohen brenda dy viteve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, dhe se Ministria me vendim mund ta vazhdoj afatin për dorëzimin e aplikacioneve për dy  herë radhazi dhe se afatet e vazhduara nuk mund të tejkalojnë dymbëdhjetë muaj secili.

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në gusht të vitit 2020 ka marrë vendim për vazhdimin e afatit për dorëzimin e aplikacioneve për legalizimin e ndërtimeve pa leje, deri me 4 shtator 2021, duke marrë në konsideratë nevojën për kohën shtesë për të arritur qëllimin e ligjit, sikurse edhe mungesën e kapaciteteve të komunave në zbatimin e ligjit si dhe rrethanat e krijuara gjatë kohës së pandemisë.  

Pandemia, sikurse edhe numri i kufizuar i stafit administrativ dhe përvoja e pamjaftueshme në këtë fushë, bashkë me aspektet e pazgjidhura të çështjeve pronësore, mos informimi i duhur i qytetarëve, janë disa nga sfidat e përbashkëta që janë cekur nga komunat.

Gjithashtu komuna të caktuara kanë pohuar se legalizimi si proces ka inkorporuar 3 drejtori për shqyrtim të dokumentacionit, përfshirë këtu edhe nevojën për konsultimet me ministrinë, gjë që ka bërë që shqyrtimi të zgjatet në kohë.

Duke qenë se sipas komunave pandemia ka ndikuar në rënie të numrit të kërkesave dhe mosinteresim të qytetarëve për legalizim, EC Ma Ndryshe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura, përfshirë edhe fushata të informimit, në mënyrë që ky proces mos të dështojë, sikurse vite më parë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)