Planifikohen aktivitetet për menaxhimin e mbeturinave
Lezhë, 16 shkurt - Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Blerim Baruti, ka marrë pjesë në punëtorinë mbi planifikimin e aktiviteteve për 2015, e cila u mbajt në Lezhë të Shqipërisë, organizuar nga organizata gjermane GIZ, në partneritet me komunat e Kosovës, Mitrovicë, Gjilan dhe Drenas.
Përfaqësues të GIZ-it, kanë ligjëruar për përcaktimin e kostos operacionale dhe tarifave në menaxhimin e mbeturinave, modelet e operimit dhe për planet komunale në menaxhimin e mbeturinave.
Gjatë kësaj punëtorie, janë zhvilluar edhe aktivitet e në grupe punuese të GIZ-it me përfaqësuesit e komunave në fjalë, në lidhje me planet e tyre për këtë vit.
Në kuadër të kësaj punëtorie, janë bërë edhe vizita studimore, ku pjesëmarrësit kanë pas rastin të njoftohen me procesin e grumbullimit të mbeturinave të reciklueshme, inkasimin dhe mekanizmat e inkasimit të mbetjeve në Bashkinë e Lezhës.
Po ashtu, janë vizituar edhe lokacionet e ndarjes së mbeturinave të reciklueshme (kontejnerët nëntokësorë).
Gjatë qëndrimit në Lezhë, drejtori Baruti është takuar me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Viktor Tushaj, me të cilin ka biseduar për mundësinë e këmbimit të përvojave në fusha të ndryshme.