Përurohet fabrika me 150 të punësuar në Shirokë të Suharekës
Suharekë, 23 maj - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në hapjen e Fabrikës Te Naseri në Shirokë të Suharekës, e cila ka rreth 150 të punësuar.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, përfaqësues të tjerë institucionalë dhe të biznesit.
Kryeministri Mustafa pasi uroi inaugurimin e fabrikës, theksoi se për Kosovën është me rëndësi themelore hapja e vendeve të punës.
Fakti se në këtë Fabrikë janë punësuar rreth 150 punëtorë dhe se pritet të punësohen edhe 100 të tjerë, kryeministri Mustafa e ka konsideruar kontribut të madh që i jepet Kosovës në këtë fazë.
Kryeministri Mustafa tha po ashtu se Qeveria e Kosovës ka ofruar mbështetje financiare për rregullimin e mëtejmë të Zonës Ekonomike në Suharekë, duke uruar kryetarin e Komunës për të gjithë punën që e ka bërë për mbi 60 biznese që veprojnë në këtë zonë.
Është një koncept i zhvillimit tonë që ne të përkrahim zhvillimin e zonave ekonomike, sidomos pjesën e infrastrukturës, në mënyrë që të kemi koncentrim të bizneseve, t\'i lirojmë qytetet nga bizneset por edhe t\'iu sigurojmë infrastrukturë të domosdoshme bizneseve jashtë zonave urbane, ashtu siç është kjo këtu, dhe mendoj se është një orientim shumë i suksesshëm, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa më tej theksoi përkushtimin e plotë që të punohet në zhvillimin ekonomik si rruga më e mirë se si mund të arrihet në BE.
Në BE duhet të hyjmë si vend i zhvilluar, si vend i cili e respekton vetveten dhe i respekton njerëzit e vetë, si vend i cili është i gatshëm të konkurrojë në tregun e Bashkimit Evropian, sidomos tash kur është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, dhe si vend i cili vlerat e veta do t\'i shpreh si vlera evropiane, tha kryeministri, duke shprehur besimin se me përkrahjen dhe fuqizimin e bizneseve edhe Kosova do të ecë përpara.
Pas ceremonisë dhe vizitës së reparteve prodhuese të fabrikës, kryeministri Mustafa dha një deklaratë për mediat e pranishme, duke vlerësuar rolin dhe aktivizimin e bizneseve në përkrahje të sektorit privat dhe sigurimin e zhvillimit ekonomik.
Kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj shprehu kënaqësinë që kjo zonë industriale po gjallërohet çdo ditë e më tepër dhe se tani po merr një formë të mirë zhvillimi.
Kemi marrë një lajm të mirë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që kjo zonë të rregullohet edhe më shumë, sepse janë ndarë diku 400 mijë euro për rregullimin e infrastrukturës së kësaj zone tha kryetari Asllanaj, duke falënderuar Qeverinë për përkrahjen e deritanishme të bizneseve në Suharekë.
Drejtori Ekzekutiv i Fabrikës, Naser Gashi, tha se pas një periudhe shumë të shkurt kohore, u arrit që të ndërtohet kjo Fabrikë. Ai u shpreh i bindur se kjo fabrikë do të jetë mjaftë e dobishme për të gjithë sepse produktet që do të ofrohen, do të jenë të një kualiteti të lartë.
Të pranishmëve në këtë ceremoni iu drejtua edhe Johanna Schwab, motër nderi dhe një prej investitorëve në këtë komunë, e cila vjen nga Austria, që kishte mesazh edhe për të rinjtë e kësaj komune.
Tani dëshiroj tju them diçka, posaçërisht juve të rinjve: Qëndroni në shtëpitë tuaja! Edhe nëse në Perëndim mund të fitoni dhjetë kilogram arë, vendlindjen nuk mund ta blini me asgjë. Ju përgëzoj për guximin që e keni pas që në këtë lokacion ta ndërtoni zonën industriale, tha Schwab.