Ndërpritet greva minatorëve të Trepçës, MZHE zotohet të përmbush kërkesat e tyre
Prishtinë, 26 tetor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka arritur një marrëveshje me minatorët e Minierës së Stantërgut, me të cilën ndërpritet greva e tyre, e nisur dje, ndërsa brenda 10 ditësh kërkesat e minatorëve do të trajtohen nga institucionet kompetente për të siguruar një zgjidhje të pranueshme.
Ministri Lluka me bashkëpunëtorë sot ka qëndruar në Trepçë ku është takuar Sindikalistët e Minatorëve, menaxhmentin e Trepçës dhe minatorët, nga të cilët është njohur me kërkesat e tyre dhe mundësinë e realizimit të tyre brenda një afati sa më të shkurtër.
Kreu i MZHE-së është zotuar se sipas përgjegjësive, së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Inspektoratin e Punës, do të shqyrtohen të gjitha kërkesat e minatorëve dhe brenda 10 ditësh do të gjendet zgjidhja për sistematizimin e punëtorëve, derisa kërkesat tjera do të përmbushen brenda këtij viti.
Ndryshe, dje minatorët e Trepçës, respektivisht Minierës së Stantërgut kanë hyrë në grevë me kërkesa; përmirësimi i cilësisë së ushqimit, zbatimi i kontratës kolektive, sistematizimi i punëtorëve sipas kërkesave.