24 Dhjetor 2024

Mustafa ofron përkrahjen për tejkalimin e situatës në Ferronikel

Drenas, 4 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ministrin e Financave, Avdullah Hoti kanë vizituar kompaninë Ferronikeli.

Gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa është njoftuar nga menaxhmenti për punën në këtë kompani, po edhe për problemet me të cilat janë ballafaquar së fundi.

Kryeministri Mustafa me këtë rast shprehu përkushtimin e Qeverisë për të ndihmuar këtë gjigant ekonomik.

“U angazhuam edhe unë, edhe dy ministrat, ministri i Financave dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, që të punojmë bashkërisht në nivel të ekspertëve të Ferronikelit dhe ekspertëve tanë dhe të agjencioneve të pavarura, në mënyrë që të gjendet zgjidhje për të krijuar kushte më të volitshme të punës së Ferronikelit. Fjala është për një gjigant ekonomik që është shumë i rëndësishëm për ne, edhe në pikëpamje të prodhimit edhe në pikëpamje të eksportit, por para së gjithash në pikëpamje të rreth 900 punëtorëve dhe familjeve të cilët punojnë dhe krijojnë të ardhura nga ky kombinat. Ne do të përkushtohemi maksimalisht që ajo që është në fuqinë e Qeverisë dhe të agjencioneve tjera, por edhe të prodhuesve të energjisë elektrike dhe të distributorëve, të shohim mundësinë për t’i ndihmuar”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Pasi ka falënderuar kryeministrin për vizitën, drejtori gjeneral i Ferronikelit, Miltiadis Tragakis, është shprehur i bindur se shpejt do të gjendet zgjidhje.

“Besoj se nëse punojmë së bashku, do të zgjidhim problemin, dhe shumë shpejt plani jonë do të jetë në veprim”, ka thënë Tragakis.

Në interesimin e medieve, kryeministri Mustafa dhe drejtori i Ferronikelit, kanë theksuar se të punësuarve në këtë kompani nuk iu rrezikohet vendi i punës.

“Asnjë rrezik u tha se për punëtorët s’ka. Asnjë punëtori nuk i rrezikohet vendi i punës. Punëtorët vazhdojnë me i marrë të ardhurat që ua garanton Ferronikeli”, ka theksuar kryeministri Isa Mustafa.

“Për momentin askush nuk do të humbas vendin e punës. Jemi duke punuar që të mbajmë të gjithë punëtorët tanë, pavarësisht situatës së keqe dhe nuk do të lejojmë pushimin e tyre nga puna. Por, na duhet kohë për të gjetur zgjidhje për problemet tona. Këto gjë po e kërkojmë”, tha drejtori i Ferronikelit, Miltiadis Tragakis.

Ndërsa sa i përket mundësisë që në Bruksel të diskutohet për çështjen e reciprocitetit në mes të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me problemin e certifikatave të ADR-së për transportuesit e materialeve të rrezikshme, kryeministri Mustafa u shpreh i bindur se kjo çështje do të gjej zgjidhjen e duhur.

“Ne kërkojmë që të dy palët të sillen në mënyrë të njëjtë. Në qoftë se Serbia kërkon certifikata nga Kosova edhe ne do t’i kërkojmë të tyre. Dhe mendoj se kjo do të arrihet, sepse është vullneti i Brukselit që të ndihmoj në mënyrë që të pranohen certifikatat dhe pastaj të lirohet qarkullimi i mallrave në të dy anët”, bëri të ditur kryeministri Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)