Murati: Pa prodhim, Kosova nuk ka të ardhme
Prishtinë, 4 mars - Ministri Valon Murati me bashkëpunëtorë priti sot përfaqësuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, klub ky i themeluar në fund të viti 2015.
Visar Kelmendi, kryetar i këtij klubi, e njoftoi ministrin Murati se klubi është themeluar në bazë të modelit evropian, përkatësisht atij slloven, të cilin ia kanë përshtatur kushteve të Kosovës. Anëtarë të këtij klubi janë prodhues të Kosovës.
Një ndër qëllimet e këtij klubi, sipas Kelmendit, është të jetë një avokues te shteti për reformimin e infrastrukturës ligjore, vetëdijesimi i qytetarëve për konsumimin e produkteve vendore, bashkëpunimi me faktorët e tjerë relevantë, si dhe krijimi i raporteve bashkëpunuese me organizatat me qëllime të njëjta. Ai tregoi edhe për inicimin e fushatës Made in Kosova, qëllimi i së cilës është promovimi i produkteve të vendit dhe konsumimi i tyre.
Sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me investitorët nga diaspora, ai tha: Jemi të gatshëm të shërbejmë si urë lidhëse, në mënyrë që, duke u bazuar në përvojat tona, ti ofrojmë ato për investitorët potencialë nga diaspora. Gjithashtu, shprehu interesimin për krijimin e kontakteve në funksion të investimeve të përbashkëta në Kosovë.
Ministri Murati i përgëzoi për themelimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës.
Diaspora ka shumë potenciale jo vetëm si investitore, por edhe si konsumatore. Diasporën duhet ta trajtojmë si një potencial të madh në funksion të zhvillimit ekonomik. Kemi punuar shumë në fushën e investimeve nga diaspora, prandaj si rezultat i kësaj kemi edhe themelimin e rrjeteve të bizneseve shqiptare në botë, tha ndër të tjera ministri Murati.
Ai theksoi se shqetësimi kryesor i investitorëve nga diaspora është mungesa e funksionimit të sistemit të drejtësisë. Prandaj,-tha ministri Murati,- si institucione duhet të angazhohemi shumë seriozisht që ky problem të zgjidhet. Megjithatë, përkundër pengesave, ka shumë prodhues nga diaspora që kanë investuar në Kosovë.
Ministri Murati i njoftoi mysafirët se së shpejti do të hapet edhe Zyra Koordinuese e rrjeteve të bizneseve, përmes së cilës do të mund të bashkëpunohej shumë më ngushtë midis Klubit të Prodhuesve dhe rrjetit të bizneseve.
Po ashtu, ministri Murati i njoftoi edhe për punën e grupit të punës për tërheqjen e investimeve nga diaspora, që vepron në kuadër të KKZHE-së, tek i cili mund të adresohen ankesat, problemet e ndryshme, të cilat pastaj drejtohen në dikastere të caktuara, për ta gjetur zgjidhjen.
Në fund, ministri Murati u tha se Klubi i Prodhuesve të Kosovës do ta ketë gjithmonë mbështetjen e ministrisë për çfarëdo nevoje që ka.