26 Dhjetor 2024

Mitrovica ndërton fabrikën për riciklimin e mbeturinave

Mitrovicë, 14 nëntor - Përfaqësuesit e Kompanisë Amerikano-Suedeze “Green 3Power”, Neil Williams, drejtor, Tom Roberts, menaxher dhe Jashar Jashari, agjent i kompanisë, kanë arritur në Mitrovicë për të nënshkruar kontratën për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e energjisë elektrike prej 12 megavatesh.

Ata të premten janë pritur nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i cili i ka njoftuar ata me përgatitjet e bëra nga komuna, për nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e fabrikës së lartpërmendur në vlerë prej 43 milionë euro.

“Tashmë Kuvendi i Komunës, ka marrë vendimin për t’ua ndarë tokën e kërkuar prej 10 hektarësh për ndërtimin e fabrikës. Në Zonën e Lirë Ekonomike, ku do të jetë fabrika, është duke u bërë gati infrastruktura, ndërkohë që tenderi për ndarjen e trojeve për biznese është i hapur”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri po ashtu, mysafirët i ka njoftuar kontaktet dhe bisedat që ka pas me Ministritë përkatës dhe KEDS-in, për t’i njoftuar lidhur me investimin e tyre në Mitrovicë dhe për të qenë në shërbim të investitorëve kur është fjala për sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për ndërtimin e fabrikës dhe fillimin e punëve.

Drejtori i Kompanisë “Green 3Power”, Neil Williams, tha se beson se ndërtimi i fabrikës është në interes të të gjithëve, e para së gjithash në interes të qytetarëve të Mitrovicës. “Unë jam i bindur se nëse bashkëpunojmë ngushtë, do t’i arrijmë synimet e përbashkëta”, tha ai.

Kryetari Bahtiri dhe drejtuesit e Kompanisë “Green 3Power”, kanë dalë në Zonën e Lirë Ekonomike, për t’i shikuar punimet që po bëhen aty për rregullimin e infrastrukturës, si dhe për të caktuar lokacionin se ku do të vendoset fabrika.

Kontrata midis Komunës së Mitrovicës dhe Kompanisë “Green 3Power”, për dhënien në shfrytëzim të pronës për ndërtimin e fabrikës, do të nënshkruhet të shtunën, në ora 12:00 në ambientet e Kuvendit të Komunës.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)