Mbi 1 miliard për Trepçën

Prishtinë, 26 mars - Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë bërë të ditur se deri tash në këtë institucion janë parashtruar qindra kërkesa nga pretenduesit se gjiganti Trepça u ka borxhe.
Sipas të dhënave të AKP-së, deri tash vlera e kërkesave është mbi 1 miliard euro.
Kërkesat më të mëdha janë nga punonjësit e kësaj ndërmarrje dhe Qeveria e Kosovës, si një ndër kreditorët më të mëdhenj, me investimet që shkojnë mbi 100 milionë euro prej pasluftës e këndej.
Sipas Ylli Kaloshit, zëdhënës i AKP-së, në këtë agjenci kërkesa kanë parashtruar edhe grupe dhe individë të jashtëm kryesisht nga Serbia, Greqia, Bullgaria etj, shkruan kosovasot.
Sipas tij pa përfunduar procesin e borxheve nuk dihet se çfarë do të ndodhë me fatin e Trepçës.
Dihet që kohë më parë AKP-ja e ka shpallur afatin e dorëzimit të kërkesave, ku gjatë asaj kohe kanë dorëzuar kërkesa një numër i madh i subjekteve të ndryshme dhe sipas të dhënave vlera e kërkesave të dorëzuara shkon mbi 1 miliard euro,tha Kaloshi.