Kultivimi i duhanit ka një traditë të suksesshme në Kosovë
Prishtinë, 10 qershor - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Grupi punues për Ligjin për Akcizën e Duhanit - udhëhequr nga Deputeti, Bardhyl Meta - së bashku me KDI-në dhe MDA (pas tryezës ne Gjilan), ka organizuar sot edhe në Gjakovë, tryezën e diskutimit lidhur me akcizën në produktet e duhanit dhe revitalizimin e industrisë së përpunimit dhe kultivimit të duhanit në Republikën e Kosovës. Në këtë tryezë, po prezantohet hulumtimi parlamentar lidhur me këtë çështje.
Të pranishëm në këtë tryezë janë deputetët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Komuna e Gjakovës, numër shumë i madh i kultivuesve dhe prodhuesve të duhanit, përfaqësues të bizneseve, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Kjo tryezë po vlerësohet lart nga të pranishmit, duke pasur parasysh faktin se kultivimi i kësaj kulture tejet rentabile për fermerë e kultivues, ka një traditë jashtëzakonisht të gjatë e të suksesshme në Kosove, mbi të gjitha kur kemi parasysh faktin se edhe ne industrinë e përpunimit final, Kombinati Gjilanit përmes brendeve Dunhill, ishte kampion i eksportit në ish Jugosllavi.
Hapat e ardhshëm që parashihen në agjendën e grupit punues dhe udhëheqësit e kësaj iniciative, deputetit Bardhyl Meta - janë organizimi i Konferencës së ardhshme në Gjilan, ku do të jenë të gjithë të involvuarit, si kultivuesit, ekspertët, por edhe kompanitë dhe investitorët në industrinë e përpunimit, sikur edhe kryetarët e komunave Gjilan e Gjakovë dhe ministritë përkatëse.