Kosova ka një numër të kompanive të sektorit të metal-përpunimit
Prishtinë, 14 qershor - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në tryezën Marrëveshja e Stabilizim Asocimit dhe kërkesat e tregut të BE-së për sektorin metal-përpunuese organizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me UNDP-në. Tryeza kishte për qëllim informimin e bizneseve nga sektori metal-përpunues rreth zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim.
Ministrja Bajrami në fjalën e saj tha se Kosova ka një numër të kompanive dinamike të sektorit të metal-përpunimit dhe se ato ndahen në kompani mikro dhe të vogla, si dhe kompani të mesme dhe të mëdha. Ajo nënvizoi se kompanitë e përpunimit të metalit punësojnë rreth 1.5 përqind të totalit të të punësuarve në vend, kurse struktura e eksporteve të Kosovës vazhdon të dominohet nga kategoria e metaleve bazë.
17 për qind e kompanive të përpunimit të metalit, arrijnë të realizojnë eksport. Kompanitë e mesme dhe të mëdha janë të orientuara kryesisht në eksporte, ndërsa ato mikro dhe të vogla i shesin gati të gjitha mallrat e tyre në tregun vendor, theksoi znj. Bajrami.
Firmat e këtij sektori po kërkojnë mënyra për të zgjeruar veprimtarinë e tyre dhe për tu bërë eksportues, por ato duhet të tejkalojnë një numër sfidash që të bëhen konkurrente për eksport si: investimet e mëtejme në teknologji blerja e makinerive dhe modernizimi i procesit të prodhimit, tha ministrja Bajrami.
Sipas ministres Bajrami, të dhënat tregojnë se rezultatet e reformave të qeverisë për të krijuar politika fiskale të favorshme dhe stimuj tjerë po reflektojnë pozitivisht në këtë sektor.
Themelimi i Fondit për Garantimin e Kredive dhe nënshkrimi i MSA-s, janë po ashtu zhvillime të cilat do të nxisin më tej këtë sektor, shtoi ministrja. Sfidë e rëndësishme mbetet mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në të cilën duhet punuar më shumë. Po ashtu, një sfidë tjetër që duhet adresuar është nevoja për diversifikimin e mëtejmë të gamës së produkteve sepse hulumtimet tregojnë se shumë kompani shesin të njëjtat mallra dhe shërbime, dhe se rritja e kompanive nuk është e mundur pa diversifikimin e produkteve dhe shërbimeve konkurrente në tregjet e huaja dhe atë vendor, nënvizoi ajo.
Ministrja falënderoi UNDP-në dhe ekspertin nga Kroacia, i cili solli para bizneseve kosovare përvojën e këtij shteti sa i përket implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.