Komuna e Mitrovicës shtyn afatin për legalizim
Mitrovicë, 5 shkurt - Shtyrja e afatit për aplikim për legalizimin e pronave, është mirëpritur në Komunën e Mitrovicës, ku edhe përkundër kërkesave të shumta të qytetarëve, procesi deri më tani ka kaluar pa ndonjë parregullsi të theksuar.
Puna e zyrtarëve në këtë drejtim nga drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Sami Zeka, vlerësohet të jetë për çdo lëvdatë.
Drejtoria jonë ka kryer një punë jashtëzakonisht të mirë, gjë që tregon edhe vet fakti se, asnjë qytetarë deri më tani nuk është larguar nga këtu, i revoltuar për ndonjë parregullsi në këtë drejtim, tha Zeka.
Sipas tij, deri më tani në sistem online janë futur 2.461 aplikues për legalizim të pronave, ndërkaq numri i plotë i atyre që kanë aplikuar është shumë më i madh. Sidoqoftë, shtyrja e afatit për aplikim, konsiderohet se ka qenë e pritur dhe më se e nevojshme.
Gjatë mbushjes së një formulari që na është dërguar nga Ministria, ne kemi propozuar shtyrjen e afatit, duke konsideruar se një gjë e tillë është e nevojshme. Kishim për bazë numrin e aplikuesve që posedonim, e që ishte i ulët në krahasim me pronat që janë në komunën tonë, përkundër faktit se zyrtarët tanë kanë punuar nganjëherë edhe jashtë orarit, vetëm për të realizuar kërkesat e të gjithë atyre qytetarëve që kanë qenë duke pritur në radhë për aplikim, tha drejtori Zeka.
Sipas tij, afati deri më 11 qershor, i paraparë vetëm për aplikim dhe shqyrtim të ankesave, në lidhje me raportin me të cilin Ministria do të dalë me 12 mars, është lejuar edhe për pranim të kërkesave për legalizim.
Ai tha se, përveç që ka qenë e nevojshme shtyrja e afatit për aplikim, një gjë e tillë ka qenë e nevojshme edhe për punën e stafit, me qëllim që të futen kërkesat në sistemin online.
Derisa numri i kërkesave për legalizim që janë futur në sistem është 2.461, sipas shefit të Qendrës për Shërbimin e Qytetarëve, Bekim Sadiku, deri më tani në këtë qendër janë pranuar 6.600 aplikacione të qytetarëve për legalizim të pronave.