Industria nxjerrëse rritet për 93.6 % ajo përpunuese 2.9 %

Prishtinë, 29 shtator - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat Afatshkurta të Industrisë për tremujorin e dytë (TM2) 2015.
Kjo anketë, me të dhënat që ofron, synon ta paraqesë ecurinë në industri (B -nxjerrëse, C- përpunuese, D-Furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar dhe E Furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtim të mbeturinave) në periudha tremujore, nëpërmjet te cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri.
Në tremujorin e dytë të vitit 2015 krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2015, Industria Nxjerrëse (B) ka pasur një rritje prej 93.6 %; dhe Industria përpunuese (C) 2.9 %.
Ndërsa, Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) ka pasur një rënie prej 21.8 %; dhe Furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) me 0.1%.
Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM2 2014 ), Industria Nxjerrëse (B) ka pasur një rritje prej 3.9 %; Furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) ishte i njëjtë; ndërsa Industria përpunuese (C) kishte rënie prej11.3%; si dhe Furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) me 9.5%.