28 Prill 2024

Inaugurohet reparti i prodhimit te mbrojtësve te rrugëve

Viti, 20 tetor - Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka vlerësuar sot në hapjen e një vije të re të prodhimit në kuadër të Kompanisë Vinex në Viti se kjo është kontribut në zhvillimin ekonomik të vendit dhe një partneritet i suksesshëm me USAID dhe GIZ.

Ai ka vlerësuar lartë faktin se në krye të dikastereve ekonomike në Qeverinë e Kosovës janë njerëzit që vijnë nga ekonomia, gjegjësisht asociacioneve të ekonomisë dhe janë duke dhënë kontribut të rëndësishëm në krijimin e politikave ekonomike dhe zgjidhjen e problemeve konkrete të bizneseve dhe ekonomisë në tërësi.

Ai gjithashtu vlerësoi edhe përkrahjen shumë të rëndësishme të USAID dhe GIZ-it.

Zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila ka thënë në këtë rast se Qeveria e Kosovës me hapat që ka ndërmarrë kohëve të fundit ka treguar se prodhuesit vendor mund të konkurrojnë si në tregun e vendit ashtu edhe në ato rajonale  me të gjithë prodhuesit tjerë.

Ajo tha se Qeveria është e vendosur të vazhdojë me politikat që do të lehtësojnë prodhimin vendor duke kaluar kufijtë e vendit dhe emri ‘Made in Kosova” të jetë emër i garancisë dhe kualitetit.

Qeveria e Kosovës do të vazhdojë me investimet e saj kapitale të cilat në mënyrë direkte ndikojnë në zhvillimin e ndërmarrjeve dhe hapjen e vendeve të reja të punës, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj.

Beqaj tha se investimi në fabrika të tilla siç është “Vinex” çon drejt realizimit të përkushtimit të Qeverisë së Kosovës për të krijuar një ambient më të mirë për sektorin privat, e veçanërisht për prodhuesit.

“Ajo çka po promovojmë sot këtu, përveç se tregon një përkushtim maksimal të investitorit privat të kësaj kompanie, tregon edhe përkushtimin e partnerëve ndërkombëtarë USAID dhe GIZ, të cilët po ndihmojnë sjelljen e përvojës ndërkombëtare në Kosovë dhe po rrisin konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve tona”, tha Beqaj.

Ai tha se Qeveria do të vazhdojë të avancojë bazën ligjore dhe përshtatjen e politikave fiskale me interesat e biznesit në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, respektivisht interesave të qytetarëve.

Edhe përfaqësuesit e USAID-it dhe GIZ-it kanë vlerësuar se Vinex është një storie e suksesshme e një ndërmarrje shoqërore të privatizuar, e cila arriti të kalojë sfidat të rris investimet dhe numrin e të punësuarve.

Në fund, drejtori i kësaj ndërmarrje Isuf Zuka ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë dhe përfaqësuesit e institucioneve lokale dhe qendrore, të cilat kanë bërë që ky prodhues të ketë sukses.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)