Inagurohet impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Kramovik të Rahovecit
Prishtinë, 19 nëntor - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të përurojë sot impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në vise rurale në fshatin Kramovik të Komunës së Rahovecit.
Ky impiant është i pari i ndërtuar në këtë mënyrë në Kosovë dhe ka për qëllim mbrojtjen e cilësisë së ujit të lumit Drin, përmes prezantimit të teknologjive kost efektive dhe inovative, vecanërisht në zonat që nuk kanë qasje në impiantet urbane për trajtimin e ujërave të zeza.
Impianti është pjesë e projektit të financuar nga GEF-i "Mundësimi i Bashkëpunimit Ndërkufitar dhe Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore në Pellgun e Zgjeruar të Lumit Drin", i implementuar si një aktivitet që demonstron si mund të mbrohet cilësia e ujit e lumit Drin përmes teknologjive inovative dhe me çmim të volitshëm, sidomos në zonat ku nuk ka qasje në impiante urbane për trajtimit e ujërave të zeza.
Të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Smajl Latifi, Kryetar i Komunës së Rahovecit, Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim/ Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së, Dimitris Faloutsos, GWPmed, Koordinator i Projektit – Sekretariatit të DrinCORDA, Binak Berisha në emër të fshatit Kramovik, partnerë, përfaqësues komunal dhe përfitues të fshatit.