Haradinaj: Qeveria do të mbetet partner i prodhuesve të veshmbathjeve
Prishtinë, 6 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj mori pjesë në Konventën e Veshmbathjeve të Kosovës, organizuar nga USAID Empower Sektori Privat në partneritet me SIDA-n.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, sidomos USAID-in, që vazhdon të përkrah Kosovën. Poashtu, kryeministri ka premtuar përkrahje të Qeverisë për sektorin privat.
“Nga pikëpamja ime dhe nga ajo që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë, mendoj se mund të kthehet në një partner të mirë të këtyre prodhuesve, të cilët jo vetëm që kanë arritur të krijojnë produktet e veta me të cilat ata aspirojnë të arrijnë tregun e vendit, por tani kanë filluar me këto produkte të arrijnë tregjet e jashtme”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Haradinaj ka potencuar rëndësinë e përkrahjes së iniciativave të tilla dhe të vetë prodhuesve, në mënyrë që të sigurohet një treg për këto produkte.
“Bilanci tregtar i Kosovës nuk është i mirë. Ju e dini, importojmë shumë. Në industrinë e veshmbathjeve ka shumë potencial të pa shfrytëzuar. Ajo që në botë njihet si “Handmade”, pra e bërë me dorë, zakonisht është produkt i lakmuar dhe më i kërkuari. E di që në Kosovë shumica e atyre që prodhojmë janë punë e duarve të çmuara. Kjo është punë e njerëzve që vërtetë munden të jenë garues në tregjet botërore, andaj ju përgëzoj sot. Unë nuk do të përtoj të gjej mënyra, si Qeveri, me qenë afër prodhuesve të vendit”, theksoi kryeministri.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se janë duke punuar me përkushtim në adaptimin e politikave stimuluese në mënyrë që të krijohet një ekosistem i përshtatshëm që do të ndihmonte dhe fuqizonte ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe rritjen e fuqisë së tyre konkurruese e cila pas fillimit të implementimit të MSA-së me BE-në, vjen në shprehje edhe më shumë.
Në Konventë folën edhe Lisa Magno, ushtruese e detyrës së Drejtorit të Misionit të USAID-it në Kosovë, Goran Paulson, zëvendës shef i misionit nga Ambasada Suedeze dhe Bardha Sadrija, kryetare e Bordit të Shoqatës së Kosovës për Marketing të Veshmbathjeve.
Ndër të tjera, është theksuar se qëllimi i kësaj Konvente është avancimi dhe zhvillimi i industrisë së veshmbathjeve në Kosovë, dhe ofrimi i një platforme rrjetëzimi për këtë industri me agjencitë qeveritare, donatorët, blerësit ndërkombëtarë dhe të gjithë akterët tjerë relevant.