Hapet linja e prodhimit të çantave në Fabrikën Intertex në Gjakovë
Gjakovë, 27 nëntor - Sot, për nder të ditës së flamurit në Komunën e Gjakovës është bërë inaugurimi i linjës së re të prodhimit të çantave në fabrikën e tekstilit Intertex.
Në këtë inaugurim morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve qendrore dhe lokale, ambasadave dhe përfaqësues të sektorit të biznesit.
Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behxhet Pacolli, në fjalën hyrëse të këtij inaugurimi u shpreh se ndjehet tepër i lumtur që sot po hapet linja e re e prodhimit të çantave të lëkurës duke shpreh falënderimet e veçanta për kryetaren e komunës Mimoza Kusari Lila, e cila me punën dhe vullnetin e saj po arrin të tejkaloj sfidat e shumta që të realizoj qëllimet për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e mëtutjeshëm ekonomik.
Ai më tutje është shprehur, se ndjen keqardhje që niveli qëndror në vazhdimësi është munduar të pengoj punën vullnetmirë për zhvillimin ekonomik duke theksuar që këto sfida kanë ndikuar mjaft që procesi për krijimin e vendeve të reja të punës po ecën më ngadalë.
Nga ana tjetër, kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka theksuar që është kënaqësi e madhe që me rastin e festave të ndryshme ne po përurojmë linja të reja të prodhimit pasi që vetëm me anë të zhvillimit të sektorit privat ne mund të arrijmë të kemi një zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik.
Kryetarja Kusari Lila, po ashtu ka falënderuar z. Behxhet Pacolli për kontributin e vazhdueshëm të tij në zhvillimin e sektorit privat duke mundësuar që të rikthejmë industrinë e dikurshme të Gjakovës.
Ne shpresojmë që të kemi përurime të tilla në çdo përvjetor feste, të krijojmë vende të reja pune për qytetarët e Gjakovës dhe të shohim sa më shumë fytyra të buzëqeshura, ashtu siç po shihen sot në këtë fabrikë ka thënë në fund të fjalës së saj, Kusari Lila.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe ambasadori Italian në Kosovë Andreas Ferrarese, i cili ka thënë se Kosova duhet të fokusohet më shumë tek ekonomia pasi vetëm ekonomia mund të jetë faktor për zhvillimin e vendit.
Në fund, të gjithë përfaqësuesit kanë prerë shiritin për hapjen e kësaj linje si dhe kanë vizituar sektorët e prodhimit të fabrikës Intertex.