Furnizimi me ujë të pijshëm prioritet për qytetarët e Drenasit
Drenas, 28 maj - Gjatë ditës së sotme, kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit 'Prishtina' Ilir Abdullahu i shoqëruar nga drejtori i bordit Florin Dvorani dhe drejtori teknik Sokol Xhafa zhvilluan një takim pune në Komunën e Drenasit të pritur nga Idriz Hyseni drejtor i infrastrukturës publike dhe përfaqësues të tjerë të kësaj komune.
Në këtë takim u diskutua rreth bashkërendimit të investimeve në sektorin e ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza për komunën e Drenasit, me theks të veçantë për vazhdimin e implementimit të ujësjellësve të rinj për 12 fshatra të komunës, gjetjen e burimeve të reja ujore për disa fshatra të tjera që deri më tash kanë pasë mungesë të ujit të pijshëm, etj.
Me prioritet u diskutua lidhur me trajtimin e ujërave të zeza, që në të ardhmen bashkërisht me nivelin lokal, qëndror dhe donatorët të gjejnë mundësi që kjo fushë e rëndësishme e sektorit të trajtohet sa më shpejtë, duke parë se pellgu i lumit Drenica është në gjendje tejet të ndotur nga shkarkimi i ujërave të zeza.
Zhvillimet nga diskutimet e ditës së sotme nga të dyja palët institucionale, mbetet të shihen në ditët vijuese.