22 Dhjetor 2024

Fitimi neto i prodhuesit Audi, ka rënë më shumë se 1 miliard euro

Ingolstadt, 1 nëntor - Fitimi neto i prodhuesit gjerman të makinave, Audi, ka rënë më shumë se 1 miliard euro në çerekun e tretë të këtij viti për shkak të gjobës nga skandali “dieselgate” dhe rënies së shitjeve.

Siç bën të ditur kompania me seli në Ingolstadt, fitimi neto në tremujorin e tretë të 2018-s ka rënë mbi 90% në krahasim me vitin e kaluar duke u realizuar në vetëm 110 milionë euro, ndërkohë që vitin e kaluar fitimi i Audi-t ishte 1 miliard e 261 milionë euro.

Në çerekun e tretë të këtij viti industria automobilistike gjermane regjistroi humbje edhe në prodhim, kjo si pasojë e vështirësive në adaptimin e procedurave të reja në lidhje me testet e emisionit.

Audi ka pranuar të paguajë gjobën prej 800 milionë eurosh të vendosur nga prokurorët gjermanë në vazhdën e një hetimi mbi mashtrimin me emetimet, edhe pse ishte i vetëdijshëm që kjo do të prekte direkt fitimet e tij për vitin 2018.

Kompania e pranoi përgjegjësinë për problemet në disa motorë V6 dhe V8 e nuk ka në plan ta apelojë vendimin.

Nga sa pohuan drejtues të saj, makinat e prekura u reklamuan dhe iu shitën blerësve në mbarë botën mes viteve 2004-2018.

Gjoba do të prekë gjithashtu edhe fitimet vjetore të kompanisë mëmë, Volkswagen.

Pranimi i fajit nga gjiganti gjerman i prodhimit të automjeteve mbi mashtrimin me rregullat e cilësisë së ajrit tashmë është bërë.

Ai i ka pohuar manipulimet me softuerët që i bënin emetimet të dukeshin më pak toksike nga sa ishin në të vërtetë.

Gjoba 800-milionëshe që duhet të paguajë Audi, përfshin edhe një tjetër detyrim prej 5 milionë eurosh për shkelje administrative, më e larta e dhënë sipas ligjit gjerman.

Hetuesit sqaruan se ndëshkimi financiar përfshin gjithashtu përfitimet nga shitjet e makinave problematike.

Skandali i mashtrimit me emetimet mendohet të ketë prekur gati 5 milionë makina të shitura në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga grupi Volkswagen, i cili ka në gjirin e tij edhe marka prestigjioze si Audi, Porsche, Bentley, Lamborghini, Seat, Skoda, Bugatti, Scania dhe Man.

Ai lidhet kryesisht me automjetet e pajisura me motorë V6 dhe V8, të prodhuar nga Audi e të vendosur makinave të tij, atyre të Volkswagen-it dhe Porsche-së.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)