ESAN planifikon të investojë në sektorin minerar të Kosovës
Prishtinë, 4 prill - Kosova ka pasur Strategji për sektorin minerar dhe infrastrukturë ligjore e cila e rregullon këtë fushë, por kemi dashur që të kemi angazhime dhe projekte konkrete me të cilat do të ndryshojë fotografia e sektorit minerar në vendin tonë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Këto komente Stavileci i bëri në takimin e organizuar nga Oda Tregtare Kosovaro-Turke, me çrast para studentëve të Universitetit Isa Boletini të Mitrovicës, respektivisht degëve të gjeoshkencave dhe metalurgjisë, kompania turke ESAN, prezantoi mundësitë për investime në sektorin minerar në Kosovë dhe krijimin e vendeve të punës.
Stavileci tha se janë duke shqyrtuar gjetjen e një balanci mes shfrytëzimit të resurseve dhe mbrojtjes së mjedisit, pra që gjithçka që bëhet në sektorin minerar duhet të gjejë një balanc në mes të përfitimeve ekonomike, ambientit dhe aspekteve sociale.
Një projekt në fushën e minierave konsiderohet se është i suksesshëm vetëm atëherë kur krijon bilanc ekonomik ambiental dhe social, tha Stavileci, duke shtuar se studentët e Fakultetit të Gjeoshkencave janë kuadrot e ardhme, qoftë në bërjen e politikave sektoriale, qoftë në të qenë pjesë e një fuqie punëtore të kualifikuar e cila mund ti përballoj sfidat e kohës.
Më teje, kreu i MZHE-së tha se aprovimi i Ligjin për Investime Strategjike krijon një dritare e re për të investuar në sektorë të caktuar, ku në kuadër të këtij ligji të parat janë të listuara fusha e energjisë dhe minierave. Andaj investitorë që janë në Kosovë dhe ata të cilët janë të interesuar për të investuar e kanë parë si mundësi të mirë për të investuar në sektorin minerar.
Nga ana e tij, Rektori i Universitetit të Mitrovicës Isa Boletini , Alush Musaj tha se sektori i minierave në Kosovë shihet vetëm si profesion për meshkujt por femrat janë pika kyçe e zhvillimit të këtij sektori. Ne mendojmë që Kosova po shkon kah zhvillimi duke iu ofruar studentëve këto programe si kjo. Këtë mundësi që na u është dhënë sot shpresoj që do ta shfrytëzojnë studentët dhe mendoj që këta student do të punojnë në të ardhmen për një Kosovë më të zhvilluar, tha ai.
Ndërkaq, Serpil Demirel, drejtoreshë në ESAN, tha se kjo kompani është e interesuar për investime në sektorin minerar në Kosovë dhe për këtë nga viti 2011 është në vend duke kryer hulumtime. Jemi këtu për të finalizuar investimet. Kemi dy licenca për hulumtime dhe do të vazhdojmë edhe me hulumtime në tri zona tjera. Ndodhemi në fazën e parafizibilitetit dhe kemi një plan biznesi për investime, tha Demirel.
Ndryshe, Kompania ESAN menaxhon nëntë miniera në Republikën e Turqisë dhe vitin e kaluar ka arritur të eksportojë mbi 200 milionë dollarë produkte minerare. ESAN ka shtrirë aktivitetin e saj në Itali, Ukrainë, Kinë dhe Portugali dhe në disa kontinente të botës.
Esan Kosova, zyra përfaqësuese e kësaj kompanie në Republikën e Kosovës është aktive që nga viti 2010 dhe deri tani ka shpenzuar mbi 1.5 milionë euro në hulumtime minerare në disa lokacione në vend.