Ekspertët Çek vizituan Ujësjellësin Prishtina
Prishtinë, 11 dhjetor - Gjatë ditës së sotme, kryeshefi ekzekutiv i KURPrishtina, Gjelosh Vataj priti në vizitë një delegacion ekspertësh të Agjencionit Çek për Zhvillim.
Takimi u zhvillua në ambientet e drejtorisë së kësaj kompanie, ku morën pjesë Kryeshefi ekzekutiv Vataj si dhe ekspertët e Agjencionit Jiri Klicpera dhe znj. Radka Pudilova të cilët janë të angazhuar për monitorimin e punimeve në Impiantin e Trajtimit të ujërave të zeza në fshatin Mramor, që janë duke u realizuar nga kompania Ircon nga qyteti i Pragës-udhëheqëse e konzorciumit dhe kompanive Topolwater nga qyteti Çasllav-Republika Çeke dhe Project Plus nga qyteti i Prishtinës-Republika e Kosovës.
Vënia e gurëthemelit të Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza për fshatrat: Busi, Mramor dhe Sutjeskë, është bërë më 28 prill 2015.
Përmes këtij impianti do të bëhet pastrimi i ujërave të zeza, që deri më tani janë derdhur në liqenin e Badocit.
Ky projekt është donacion nga Republika Çeke në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal Prishtina sh.a.
Gjatë këtij takimi, përveq diskutimit për çështjet që kanë të bëjnë me projektet e infrastrukturës së rrjetit të ujërave të zeza, mundësisë së trajtimit të tyre për një ambient të pastërt, u diskutua edhe për të arriturat, sfidat dhe gjendjen e infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit në komunat që janë nën menaxhimin e KURPrishtina sh.a. (Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, Graçanicë, Lipjan, Shtime dhe Podujevë).
Kryeshefi ekzekutiv Vataj falenderoi edhe njëherë Republikën Çeke për financimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha projekteve që ndërlidhen me investimet në infrstrukturën e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit.