22 Dhjetor 2024

Eksperiment për magazinimin e dioksidit të karbonit nën det

New York, 11 maj - Shkencëtarët po kryejnë një eksperiment të madh nënujor në Detin e Veriut, duke testuar për rrjedhje të dioksidit të karbonit. Sipas tyre ky lloj eksperimenti është i pari në botë.

Studiuesit po testojnë një plan për të pompuar një pjesë të sasisë së tepërt të dioksidit të karbonit të botës në puset e zbrazëta nënujore.

Anija "James Cook" do të qëndrojë në Detin e Veriut për një muaj, për të eksperimentuar nëse pompimi i karbonit të lëngshëm në puset e vjetra të naftës është një mënyrë e efektshme për të zgjidhur problemin e karbonit të tepërt që ne e çlirojmë sot në atmosferë.

"Njerëzit janë në kërkim të mënyrave për pakësimin e sasisë së dioksidit të karbonit në atmosferë. Një mënyrë për të bërë këtë është kapja dhe magazinimi i dioksidit të karbonit, që përfshin transformimin e tij në gjendje të lëngshme dhe pastaj magazinimin e tij në mënyra të ndryshme."

"Një nga mënyrat e propozuara është përdorimi i puseve të vjetra të naftës dhe gazit në Detin e Veriut, pra pompimi i dioksidit të karbonit në këto puse. Sipas disa studimeve, dioksidi i karbonit mund të qëndrojë në këto puse për të paktën 10,000 vjet", thotë Douglas Connelly i Qendrës Kombëtare të Oqeanografisë.

Anija do të bëjë një provë duke shpuar një pus rreth 120 metra në dyshemenë e detit.

Ekipi do të pompojë më pas në të karbonin e lëngshëm duke e mbajtur nën vëzhgim për të parë nëse do të ketë rrjedhje.

"Ne kemi shumë besim se pusi do ta mbajë dioksidin e karbonit. Por, natyrisht duhet ta testojmë këtë për t’u siguruar që dioksidi i karbonit nuk do të rrjedhë dhe të hyjë në botën ujore. Nëse ka rrjedhje do ta masim sa e lartë është dhe çfarë pasojash do të ketë ", thotë zoti Connelly.

Gjatë testimit, ekipi do të përdorë një flotë mjetesh nënujore për të vëzhguar për rrjedhje të dioksidit të karbonit.

"Do të përdorim automjete me telekomandë, robotë nënujorë dhe sensorë. Do të përdorim kiminë, akustikën, teknologjinë më të sofistikuar që ekziston sot, për të zbuluar dhe matur sasinë e rredhjes së dioksidit të karbonit", thotë zoti Connelly.

Qëllimi përfundimtar është krijimi i një sistemi të pagabueshëm që do të mundësonte magazinimin e sasive të mëdha të dioksidit të karbonit thellë nën shtratin e detit, duke e mbajtur atë jashtë atmosferës.

"Pse po bëhet kjo tani? Ne e dimë se për të përmbushur objektivat e Marrëveshjes së Parisit, për kuotat e çlirimit të dioksidid të karbonit, jo vetëm që duhet të gjejmë mënyrat për ta bërë këtë, ç’ka është jetike, por duke e ditur se situata nuk ndryshon dot menjëherë, ne po punojmë për të gjetur edhe mënyra edhe si ta zbusim gjendjen duke prodhuar më pak dioksid karboni, ose duke gjetur forma për të magazinuar atë që prodhojmë që të mos çlirohet në atmosferë ", thotë Douglas Connelly, i Qendrës Kombëtare të Oqeanografisë.

Eksperimenti po financohet nga Bashkimi Evropian dhe është pjesë e përpjekjeve të tij për të pakësuar nivelin e çlirimit të dioksidit të karbonit, bazuar në Marrëveshjen e Parisit për Klimën.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)