Dëmtimi i gypit, lë pa ujë Fushë Kosovën, Vranidollin, Sofalinë dhe Tasligjen
Prishtinë, 12 dhjetor - Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina ka bërë të ditur për konsumatorët e qytetit të Fushë Kosovës, se sot janë deturuar të ndërprejnë sistemin e rrjetit të ujësjellësit për këtë qytet, për shkak të dëmtimit të gypit me diametër fi 400 mm.
\"Dëmtimi i gypit magjistral, që e furnizon Fushë Kosovën me ujë të pijshëm në tërësi, po na shkakton probleme të shumta dhe sanimi i tij nga ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit është shumë i shpeshtë\", thekson Arjeta Mjeku zyrtare për informim në Kur \"Prishtina\".
Rasti tjetër sipas saj ka të bëjë me ndëprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Vranidoll, ku sërish persona të pandërgjegjshëm kanë dëmtuar valvolen e rrjetit të ujësjellësit-rregullues i sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm për atë zonë.
Derisa rasti i tretë i ditës së sotme, ka të bëjë me ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm në lagjen Sofalia dhe Tasligje në Prishtinë.
Mjeku ka theksuar se çrregullimi i sistemit të furnizimit me ujë për këto dy lagje, ende është i panjohur, por në vendin e ngajrjes, në afërsi të rezervuarit në atë zonë, për detektimin e problemit, po qëndrojnë ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit të KURPrishtina sh.a.
Po ashtu edhe dy ekipe të tjera, janë vendosur në fshatin Vranidoll dhe në qytetin e Fushë Kosovës.
\"Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë konsumatorët e zonave të lartëcekura, deri në sanimin e defekteve në rrjetin e ujësjellësit derisa koha e sanimit të tyre varet nga kushtet dhe mundësitë teknike\", ka thënë Mjeku.