Çmimet e Prodhimit në Kosovë bien për 0.3 për qind
Prishtinë, 16 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e dytë 2014.
Çmimet e Prodhimit në Kosovë pësuan rënie në një mesatare prej -0.3 për qind ndërmjet TM1 2014 dhe TM2 2014.
Rënia më e madhe sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehet te prodhimi i mjeteve motorike (të transportit), rimorkiove dhe gjymërimorkiove (-8.5 për qind), prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (-4.8 për qind), energjisë elektrike, gazit, avullit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar(-2.9 për qind), prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (-2.4 për qind), prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit, si dhe i tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara-thurëse (-1.2 për qind), prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës (-1.1 për qind), grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (-1.0 për qind), prodhimi i mobilieve (-0.5 për qind), dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (-0.3 për qind).
Rënia u neutralizua nga ngritja e çmimeve te prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (1.9 për qind), përpunimi i produkteve ushqimore (1.2 për qind), prodhimi i pijeve (0.7 për qind), prodhimi i metaleve (0.7 për qind), dhe prodhimi i pajisjeve elektrike (0.7 për qind).
Krahasur TM2 2013 me TM2 2014, Çmimet e Prodhimit u ngritën në një mesatare prej 0.2 për qind. Rritjet më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike ishin te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar (5.6 për qind), prodhimi i produkteve minerale jometalike (4.1 për qind), prodhimi i produkteve të gomës dhe të plastikës (2.0 për qind), prodhimi i mobilieve (1.5 për qind), prodhimi i pijeve (0.8 për qind), xeheroret dhe guroret e tjera (0.4 për qind), prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe tapës, përvec mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara-thurëse (0.3 për qind) dhe prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve (0.2 për qind).
Ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve te prodhimi i mjeteve motorike (të transportit) rimorkiove dhe gjymërimorkiove (-18.4 për qind), prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës (-12.0 për qind), prodhimi i pajisjeve elektrike (-11.9 për qind), nxjerrja e xehes së metalit (-10.9 për qind), prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve p.k.t (-4.7 për qind), prodhimi i metaleve (-4.0 për qind), përpunimi i produkteve ushqimore (-2.5 për qind), prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës (-1.3 për qind), prodhimi i produkteve kimike (-0.4 për qind) dhe grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë (-0.4 për qind).