BMW prezanton zyrtarisht modelin e ri Serie 2 Gran Tourer
Frankfurt, 11 shkurt - Pas promovimit të versionit standard Serie 2 Active Tourer, kompania BMW ka përgatitur edhe një model të ri, të gjatë dhe të gjerë me tre rreshta të ulëseve për shtatë pasagjerë, ndërsa premiera e këtij modeli do të mbahet në fillim të marsit në panairin e veturave në Gjenevë.
Siç pritej, ky model do të quhet Serie 2 Gran Tourer dhe, sikurse versioni standard Serie 2 Active Tourer, edhe ky model do të ketë versionet për lëvizje me rrotat e përparme dhe sistemin 4×4.
Sa i përket dimensioneve, BMW Serie 2 Gran Tourer është 456 centimetra i gjatë, 160 cm i lartë dhe me bosht prej 278 cm. Konsumatorëve do tju ofrohet më shumë paketa të pajisjeve, duke përfshirë edhe M Sport, paketën Advantage, kondicioner automatik, Park Distance Control dhe Cruise Control aktiv.
Sa i përket motorit, ky model do të ketë version benzinë 218i 3-cilindërsh, 1.5-litra me kapacitet 136 kuaj fuqi dhe shpenzim të karburantit prej 5.1-litra në 100 kilometra dhe 220i 2.0-litër, Turbo me 192 kuaj fuqi dhe shpenzim të karburantit prej 6.2-litra në 100 km.
Po ashtu do të ketë edhe version dizel 216d 3-cilindërsh, 1.5-litër me kapacitet prej 116 kuaj fuqi dhe shpenzim të karburantit prej 3.9-litra në 100 kilometra; 218d 2.0-litër me kapacitet prej 150 kuaj fuqi dhe shpenzim të karburantit prej 4.3-litër në 100 km; si dhe 220d me kapacitet prej 190 kuaj fuqi dhe shpenzim të karburantit prej 4.9-litër në 100 kilometra.
BMW Serie 2 Gran Tourer do të jetë në dispozicion edhe në variantin xDrive me sistemin për lëvizje 4×4, ndërsa varësisht nga versioni i motorit, ky model do të ketë marshin manual prej 6 shpejtësive dhe atë automatik prej 8 shpejtësive.
Çmimi i këtij modeli në Gjermani pritet të fillojë prej 28.650 euro (njëjtë sikurse modeli 218i Gran Tourer), ndërsa më vonë pritet që të zgjerohet oferta edhe me versione të reja, duke përfshirë edhe versionin benzinë 216i.