Zyrtarët e lartë komunal punojnë edhe në arsim
Prishtinë, 4 tetor - Monitoruesit e EC Ma Ndryshe gjatë pjesës së dytë të muajit shtator kanë hulumtuar sektorin e arsimit respektivisht sistemimin e zyrtarëve të lartë të ekzekutivit lokal nëpër shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Prizrenit.
Në bazë të gjeturave të këtij hulumtimi figuron se së paku tre këshilltarë të kryetarit të komunës, Ramadan Muja dhe një zyrtare e lartë e DKA-së marrin paga për vendet e tyre të punës në ekzekutivin lokal dhe në të njëjtën kohë janë pjesë e listës së pagave të shërbimit arsimor.
Ndonëse këta zyrtar të lartë kanë normë të përgjysmuar në shkollat fillore dhe të mesme, megjithatë ata marrin paga dy herë për punën që e bëjnë gjatë orarit të njëjtë të punës. Bazuar në deklaratat e kryetarit të komunës pothuaj të gjitha shkollat e komunës së Prizrenit zhvillojnë mësimin në dy turne, që do të thotë se mësimi në shkolla zgjat gati aq sa edhe orari i punës në komunë, ndoshta me një dallim shumë të ngushtë kohor, gjë që e bën të pamundur praninë fizike në dy vende të punës në kohën e njëjtë.
Justifikimi i këtyre zyrtarëve ka të bëjë me koordinimin e dy orareve zyrtare të punës. Megjithatë pozita e zyrtarit të lartë komunal nuk kufizohet brenda orarit zyrtar të punës, pasi që përgjegjësia publike është më e gjerë se koncepti i matjes me orë të orarit të punës.
EC Ma Ndryshe konsideron se edhe nëse dispozitat ligjore e lejojnë një praktikë të tillë, megjithatë zyrtarët e lartë komunal, që madje janë bashkëpunëtorë të ngushtë të kryetarit, duhet së paku ti respektojnë parimet e sjelljes morale dhe të heqin dorë nga angazhimi në dy vende të punës gjatë orarit të njëjtë të punës dhe të përqendrohen në detyrat e tyre të rëndësishme në qeverinë komunale.
EC Ma Ndryshe vlerëson se zbatimi i këtyre praktikave favorizuese ndaj zyrtarëve të lartë komunal është shqetësues sidomos në realitetin aktual socio-ekonomik degradues për qytetarin, ku pothuaj 40 për qind të popullsisë është e papunë dhe çdo i dyti banor jeton në varfëri.
Përshkrues më i mirë i këtij realiteti është paraqitja e mbi 570 kandidatëve për 24 vende të lira të punës në konkursin e fundit të DKA-së. Prandaj, EC Ma Ndryshe i bën thirrje kryetarit të komunës që të shqyrtoj çështjen e rezervimit të vendeve të punës për zyrtarë të lartë komunal.
Një tjetër çështje shqetësuese për EC Ma Ndryshe është edhe lënia jashtë listës së pagave të një numri të konsiderueshëm të mësimdhënësve të komunës së Prizrenit. Këta mësimdhënës sipas të dhënave të siguruara nga monitoruesit janë jashtë listës së pagave për arsye se numri i paraleleve në qytet është shtuar gjatë viteve të mëparshme, ndërsa në anën tjetër nuk është rritur numri i mësimdhënësve, në përputhje me formulën e punësimit për komunën e Prizrenit.
Duke i marrë për bazë këto fakte EC Ma Ndryshe i bën thirrje DKA-së, udhëheqjes komunale dhe MASHT-it që të rishikojnë sistemimin e mësimdhënësve në komunën e Prizrenit.
EC Ma Ndryshe rekomandon MASHT-in që të ndryshoj edhe dispozitat përkatëse ligjore në mënyrë që të pamundësohet angazhimi i zyrtarëve të lartë komunal në shërbimet arsimore komunale.
Ndërsa nga autoritetet komunale EC Ma Ndryshe kërkon aplikimin e standardeve të larta morale në mënyrë që të krijohet hapësira e duhur për punësimin e kuadrove të reja, në kushte të barabarta dhe pa ndikime partiake e politike, me qëllim të avancimit të cilësisë së shërbimeve arsimore.