Zhvillimi i mësimit plotësues në diasporë, prioritet i Ministrisë
Mbështetja dhe promovimi i mëtejmë është i rëndësisë së veçantë për Ministrinë e Diasporës.
Me këtë rast, Ministri i Diasporës, Valon Murati, priti në një takim njoftues Nexhat Maloku, Kryetar i LAPSH, (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptar) në Zvicër.
Maloku e njoftoi Ministrin Murati për punën e Lidhjes, punë e cila tashmë po hyn në dekadën e tretë të veprimtarisë së saj.
Po ashtu, Maloku foli edhe për mbështetjen e shtetit të Zvicrës në procesin mësimit plotësues, sakrificat dhe pengesat që po shkaktohen në këtë proces.
Ministri Murati, e falënderoi Maloku për vizitën dhe për tërë punën që LAPSH-i ka bërë gjatë kësaj kohe.
Ai e njoftoi për vullnetin dhe seriozitetin e tij dhe të Ministrisë në përkushtimin për të avancuar çështjen e arsimit plotësues në diasporë.
Procedimi me urgjencë i projekt-programit të përbashkët për zhvillimin e mësimit plotësues në diasporë dhe mërgatë është një ndër prioritetet e punës së Ministrisë qysh në fillim.
Ministri Murati theksoi se po bëhet punë intensive edhe në koordinimin e dikastereve tjera qeveritare që kanë të bëjnë me këtë projekt, dhe premtoi bashkëpunim të ngushtë në tejkalimin e të gjitha sfidave dhe problemeve që diaspora jonë i ka kur bëhet fjalë për mësimin plotësues.