Zhvillimi i Fëmijërisë së Hershme faktor tepër i rëndësishëm i shoqërisë
Prishtinë, 4 maj - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi po merr pjesë në Konferencën për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në vendet e Ballkanit Perëndimor, në të cilën të ftuar janë edhe ministrat e arsimit të vendeve të rajonit.
Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi në takime të ndara që ka zhvilluar me ekspertë të Bankës Botërore, Amanda Devercelli- eksperte për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe Jaime Saavedra- drejtor i lartë i sektorit të arsimit në nivel global, ka thënë se Ministria e Arsimit është e gatshme që të përmbushë të gjitha obligimet e saj, sa i përket realizimit të projekteve të BB për përmirësimin e cilësisë në arsim.
Ministri Bytyqi shprehu përkushtimin e tij dhe të ministrisë të cilën ai e drejton, në promovimin e politikave të kujdesit dhe zhvillimit të fëmijërisë së hershme për të gjithë fëmijët, si një faktor tepër i rëndësishëm i shoqërisë.
Ministri Bytyqi ka përmendur të arriturat kryesore në zhvillimin e dokumenteve strategjike dhe prioriteteve kombëtare, të cilat mbështesin realizimin e synimeve të Ministrisë së Arsimit për edukimin e hershëm, objektivat dhe sfidat të cilat ndërlidhen me cilësinë e ofrimit të shërbimeve të edukimit në fëmijërinë e hershme.
Sa i përket mundësive për bashkëpunim me Bankën Botërore në fusha të reja në të ardhmen, ministri Bytyqi ka përmendur organizimin e mësimit tërëditor, i cili kërkon infrastrukturë shtesë dhe fuqizimin e rolit të prindërve në procesin e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, duke qenë se menaxhimi i mirë i shkollave ndikon në përmirësimin e kualitetit në mësim.
Ministri Bytyqi ka falënderuar ekspertët e BB-së për mbështetjen që po i japin Kosovës në fushën e arsimit dhe ka kërkuar ndihmën e tyre në bartjen e praktikave të vendeve të zhvilluara, në çështjet për të cilat u diskutuan.
Ndryshe, Konferenca për Zhvillimin e Fëmijërisë së Hershme në Ballkanin Perëndimor është një mundësi për plotikbërësit dhe palët e tjera të interesit që të informohen për rëndësinë e investimit në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme dhe për praktikat më të mira në ofrimin e shërbimeve të kujdesit dhe zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme.