Zhvatja 30 milionëshe e mafisë së MASHT-it
Prishtinë, 19 nëntor - Mesatarja e blerjes së librave në vit, nga viti 2008 deri në vitin 2014, ka qenë 9 milionë euro, apo në total 54 milionë euro.
Në fakt, këta libra për gjashtë vjet nuk do të duhej të kushtonin më shumë se 24 milionë euro dhe, sipas shembullit më lart, MASHT-i, po të ishte më i vëmendshëm, për 6 vjet do të kursente 30 milionë euro, apo librat për një vit nuk do të duhej të kushtonin më shumë se 4 milionë euro, që do të thotë se do të kurseheshin 30 milionë euro
MASHT-i ka blerë libra nga viti 2008 deri në vitin 2014, që i bie gjashtë vjet shkollorë, miliona euro libra nga shtëpitë botuese oligarkike monopoliste e të lidhura me zyrtarët e lartë të MASHT-it dhe Qeverisë, e që janë \"Dukagjini\" dhe \"Libri Shkollor\", pa zbatuar asnjë ligj, asnjë tender publik , por kinse një negocim imagjinar mes MASHT-it dhe vetëm shtëpive botuese të përmendura.
MASHT-i asnjëherë nuk ua ka prishur qejfin botuesve, të cilët vetë i ka krijuar , as për çmimet, dhe nuk është lodhur shumë për të parë se a janë çmimet reale apo jo, por përkundrazi, që çmimet të jenë sa më të larta, respektivisht së paku të dyfishuara.
Në fakt, në një përllogaritje të thjeshtë del se shtëpitë botuese MASHT-it ia kanë shitur librat me çmime goxha të larta, e të dyfishuara.
Po t\'i shiteshin MASHT-it këto tekste me një çmim real, që nuk do të duhej të ishin më shumë se 0.75 euro, atëherë do të ruhej buxheti i shtetit nga zhvatja.
Mirëpo, duket se nga ky tender shumëmilionësh qëllimi kryesor ka qenë përfitimi dhe zhvatja e sa më shumë parave nga njerëz të ndryshëm, në cilësinë e zyrtarëve të lartë të MASHT-it, që u kanë bërë favore shtëpive botuese për t\'i shpërblyer e fituar këta tenderë milionësh në dëm të buxhetit të shtetit.
Po të mos ishin pranuar këto çmime kaq të larta e të dyfishuara, atëherë mesatarisht buxheti i shtetit do të kursente 4 milionë euro për çdo vit.
/Kosova Sot/