Zëvendësministri Mustafa viziton nxënësin e plagosur
Prishtinë, 8 janar - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), shprehë indinjatë të thellë lidhur me ngjarjen që ka ndodhur sot në oborrin e Shkollës Fillore Emin Duraku, ku për pasojë është vrarë një i ri i moshës 15 vjeçare dhe është plagosur një nxënës i kësaj shkolle.
MAShT dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga organet e rendit dhe të drejtësisë, që të marrin masat e nevojshme për zbardhjen e rastit.
Ndërkohë, me të marrë lajmin zëvendësministri i Arsimit, z.Nehat Mustafa, i shoqëruar nga Isuf Thaçi, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, dhe z. Rashit Qalaj, drejtor i përgjithshëm i operativës së Policisë së kryeqytetit, ka vizituar shkollën Emin Duraku për tu njohur më për së afërmi me rastin.
Zëvendësministri Mustafa ka vizituar edhe Qendrën Emergjente të Spitalit të Prishtinës, ku po kurohet nxënësi i plagosur.
Me këtë rast, zëvendësministri Mustafa shprehu keqardhjen për këtë ngjarje tragjike njëherësh uroi që nxënësi i plagosur të shërohet sa më shpejtë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë apelon të të gjithë qytetarët që shkolla të respektohet si tempull i dijes dhe të mos lejohen që gjëra të tilla të ndodhin në objektet e shkollës, duke rrezikuar edhe jetët e nxënsëve.