23 Dhjetor 2024

VV: Politizohet arsimi në Drenas

Prishtinë, 18 janar - Lëvizja Vetëvendosje qendra në Drenas ka vlerësuar se arsimi në Komunën e Drenasit është politizuar edhe më shumë pas zgjedhjeve të brendshme të degës së PDK-së në Drenas.

Tani përveç punësimit të mësimdhënësve në baza familjare dhe politike, sipas Vetëvendosjes ka edhe drejtorë te shkollave fillore që janë edhe anëtarë të Kryesisë së PDK-së në Drenas.

Zgjedhja e drejtorëve të shkollave fillore, Bekim Xhoka (Tersteniku II), Afet Morina (Qikatov  Re), Ajet Leci (Gradicë) dhe Milaim Hajdari (Dobroshefc), anëtarë të Kryesisë në këtë parti, sipas kësaj lëvizje përbënë shkelje të rëndë të ligjit për Shërbyesit Civil.

"Ky politizim i skajshëm i sektorit të arsimit në Drenas, derivon nga mendësia keq-qeverisëse e PDK-së. Kjo mendësi e cila konsiston në përvetësimin dhe privatizimin e institucioneve publike, me qëllim të përfitimeve klanore dhe partiake, ka bërë që arsimi dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të jenë në një gjëndje aspak të mirë", thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Keqpërdorimet e ndryshme në arsim dhe mungesa e aftësisë menaxheriale tek udhëheqesit e këtij sektori në Drenas, kanë krijuar mangësi dhe defekte të mëdha në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Vetëvendosje me tej thotë se mënyra se si janë zhvilluar zgjedhjet e brendshme të PDK-së në Drenas, duke e shkelur Statutin e tyre partiak dhe ligjin për Shërbyesit Civil, tregon më së miri se strukturat e reja të PDK-së në Drenas, janë vazhdimësi e strukturave të kaluara të kësaj partie në kuptimin e mentalitetit të mbrapshtë qeverises.

"Ky mentalitet politik po e mbanë Drenasin në një gjëndje stagnimi për të mos thënë regresi në të gjitha sferat e jetës. Andaj, rruga e vetme për të dalë nga ky rreth vicioz i keq-qeverisjes sistematike në Drenas, është largimi PDK-së nga pushteti, të cilin e kanë  vjedhur me forcë dhe e kanë blerë me paratë publike."

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Drenas në vazhdimësi ka kritikuar keqpërdorimet në arsim dhe njëkohësisht ka paraqitë idetë alternative se si duhet vepruar për ta rritur cilësinë e procesit arsimor.

Qendra kërkon edhe një herë nga Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën tonë, Arsim Mehmeti dhe nga   drejtorët e shkollave fillore që janë zgjedhur anëtarë të Kryesisë së PDK-së në Drenas, të japin dorëheqje të menjëhërshme si përgjegjësi morale dhe penale. Kjo është më e pakta që duhet ta bëjnë personat e lartëcekur.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)