VV: Ngritja e cilësisë në arsim është e pamundur me klanin Pronto
Prishtinë, 7 dhjetor - Rezultatet e testit nga Vlerësimi Ndërkombëtar i Nxënësve (PISA) që e nxorën Kosovën në tre vendet më të dobëta nga 72 pjesëmarrëse, janë alarmuese dhe flasin më së miri për degradimin e arsimit gjatë gjithë këtyre viteve.
Ngritja e cilësisë në arsim është e pamundur me klanin Pronto në qeverisje. Në lidhje me këto, Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për media, ku folën deputetët nga Komiteti për Arsim dhe Shkencë prof. Mytaher Haskuka dhe Ismajl Kurteshi.
Mytaher Haskuka paraqiti disa prej detajeve të testit dhe metodologjisë e cila pamundëson kopjimin dhe plagjiaturën, çfarë mundëson që rezultatet e këtij testi të jenë shumë të sakta. Rezultati mesatar për nxënësit në mbarë botën ka qenë 490 pikë, kurse diferenca nga 30 pikë nënkupton një vit shkollor më shumë ose më pak nga standardi botëror.
Nxënësit nga Singapori, pra vendi i parë, dolën me 564 pikë, njohuri këto të barasvlershme me 2,5 vite shkollim më shumë në krahasim me nxënësit tjerë në botë. Mesatarja për nxënësit e Kosovës ishte 362, pra rreth 128 pikë më e ulët nga mesatarja botërore. Dijet e nxënësve tanë janë rreth 4 vite prapa nga mesatarja botërore, tha Haskuka.
Sipas kësaj, nxënësi në Kosovë është shtatë vite prapa nxënësit mesatar të Singaporit. Ai tha po ashtu se tenderomania në 17 viteve ka bërë që të gjitha investimet kapitale të shkojnë në asfalt e ndërtime por nëse nuk investohet në faktorin njeri nuk ka zhvillim, si dhe përmendi punësimet familjare e partiake në sektorin e arsimit.
Për Lëvizjen Vetëvendosje! rëndësi të jashtëzakonshme ka edukimi parashkollor nga mosha 1 deri në moshën 6 vjeçare, edukimi cili vendos bazat për zhvillimin e inteligjencës. Për këtë arsye përpjekja e qeverisjes komunale në Prishtinë, pasi ka hapur 4 çerdhe, hapja edhe e 3 të tjerave pavarësisht pengesave të shumta nga vetë Ministria e Arsimit.
Në Alternativën Qeverisëse të Vetëvendosje!-s ne llogarisim krijimin e kushteve më të mira për punë praktike shkencore nëpër shkolla. Komuna e Prishtinës vetëm këtë vit ka investuar në 120 laboratorë të kimisë, biologjisë e fizikës kjo njëkohësisht me shtrirjen e leximit, hapjen dhe furnizimin e bibliotekave shkollore e komunitare. Në aspektin e kurrikulës duhen shtuar klasa për mësimin e mendimit kritik, logjik dhe matematik, përfundoi Haskuka, duke thënë se kjo situatë katastrofale është përgjegjësi direkte e secilës qeveri në Kosovë dhe ndryshmi i gjendjes do të marrë një kohë të gjatë.
Deputeti, anëtar i Komisionit parlamentar për Arsimin, Ismajl Kurteshi theksoi se kjo gjendje vjen si pasojë e mungesës së angazhimit të duhur në fushën e arsimit.
Për këtë gjendje, përgjegjësi e veçantë bie mbi qeveritë, drejtoritë komunale dhe udhëheqjet komunale të cilat nuk kanë punuar mjaftueshëm ose nuk kanë ditur të punojnë si duhet për të arritur rezultate më të mira në arsim, deklaroi Kurteshi, me çrast shtoi se këto rezultate duhet të shërbejnë si një moment kthese i angazhimit dhe sjelljes së kompetentëve karshi arsimit. E nga kjo gjendje do të dalim vetëm me angazhim serioz të të gjithë shoqërisë, ku së pari duhen ndalur ata që e rrënuan plotësisht mundësinë për shkollim dinjitoz e funksional në Kosovë.
Duke përmendur domosdoshmërinë e rritjes së buxhetit për arsimin, Kurteshi më pas listoi disa çështje që duhen adresuar sa më parë, si: Strategjitë e cilësisë smund të funksionojnë nëse përgjegjësve për këtë gjendje nuk u ndahet përgjegjësia dhe ndëshkimi ligjor; Orientimi i nxënësve nga dija e leximi jo nga eksperimentet e kurrikulave të sajuara; Krijimi i kushteve për fitimin e njohurive: bibliotekat, mjetet e laboratorët etj.; Tekstet shkollore duhet të rikonceptohen, jo vetëm të rishikohen; Bashkëpunimi me Shqipërinë është kyç, i domosdoshëm, dhe i patjetërsueshëm; Shkollave duhet tiu kthehen kompetencat dhe përgjegjësitë.
Drejtorët duhet emëruar nga Këshilli i Shkollës, kurse personeli tjetër nga drejtori, por drejtori dhe mësimdhënësit duhet të jenë përgjegjës për suksesin e nxënësve; Hapja e paraleleve parafillore duhet të ndodhë në gjitha shkollat. Numri i nxënësve në klasë nuk duhet të jetë më i madh se 25. Për nxënësit me aftësi të veçanta dhe ata që janë më të dobët duhet të organizohet mësim shtesë.
Mbështetja profesionale nga çdo vend partner është shumë e nevojshme, por shkollën shqipe nuk mund ta bëjmë përpos se duke bashkuar fuqitë dhe energjitë e të gjithë kombit. Duke theksuar se nxjerrja e arsimit nga kjo gjendje e rëndë është obligim i shtetit, e për ta arritur një gjë të tillë duhet të ndryshohet qasja por edhe përgjegjësit për këtë gjendje, u paralajmërua që së shpejti do të ketë iniciativa parlamentare për gjendjen e rëndë të arsimit.