Vihet gurthemeli i shkollës fillore Ismet Rraci në Klinë
Klinë, 29 dhjetor - Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuqi dhe Ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kanë vënë gurthemelin e shkollës fillore të mesme të ulët Ismet Rraci në Klinë.
Me këtë rast Ministri Bajrami në fjalën e rastit, duke uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle për objektin e ri që do të ndërtohet, ndër tjera tha se nuk ka gjë më mirë sesa ta përmbyllim një vit me fillimin e ndërtimit te një shkolle të re, një shkollë moderne e cila mban emrin e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare , shkollë e cila do të mundësoj një arsim cilësorë.
Ky objekt i ri shkollorë modern që po fillon të ndërtohet, do të krijoi parakushte që të ndërtojmë një arsim cilësorë çfarë e dëshirojmë , do të jetë shkollë e cila do të mundësoi kushte të mira për 1500 nxënësit e sajë dhe mësimdhënësit, që të jenë të suksesshëm në procesin mësimdhënies dhe mësimnxënies dhe ngritjen e cilësisë tha Ministri Bajrami.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se investimi në edukim është interes nacional i shtetit tonë të ri.
Sipas kryeparlamentarit Veseli, investimi në infrastrukturën fizike është i domosdoshëm, por ajo që Kosovës i duhet urgjentisht është edhe investimi në cilësinë e edukimit, të cilin e marrin fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Shkolla që sot po përurojmë, mbanë emrin e një burri të nderuar të Klinës, një aktivisti të palodhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, emrin ish-kryetarit të komunës së Klinës, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit ka thënë se raportet e fundit ndërkombëtare flasin për një gjendje jo të kënaqshme në këtë fushë.
E kam fjalën për studimin e organizatës ndërkombëtare PISA, e cila na radhitë shumë poshtë në matjen e nivelit të shkathtësive dhe diturive që fitojnë sot fëmijët në shkollat tona. Këtë gjendje nuk mund ta tolerojmë. Nuk mund të ketë më justifikime për mosveprim në reformimin e sistemit edukativ në Kosovë, është shprehur Veseli.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se Kosova ka mundësi dhe kapacitete për të ndryshuar gjendjen. Investimi në edukim, ka shtuar Veseli, është investim në të ardhmen e shtetit.
Ne duhet të punojmë që fëmijët tanë të marrin një edukim bashkëkohor, në mënyrë që nesër ata të mund të jenë konkurrentë me moshatarët e tyre në tregun e Bashkimit Evropian, ka thënë ai.
Përveç objektit shkollorë , në kuadër të projektit është edhe Salla e Sporteve dhe hapësira tjera shkollore .