Vihet gurthemeli i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë
Prishtinë, 26 korrik - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, së bashku me rektorin e Universitetit Hasan Prishtina, Ibrahim Gashi, dhe kryetarin e komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, kanë vënë gurthemelin e ndërtesës së re të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë.
Me këtë rast, ministri Buja, ndër tjera, tha se krahas ngritjes së cilësisë mësimore, studimore dhe hulumtuese ne po bëjmë edhe hapa tjerë infrastrukturore më të avancuar të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera dhe sot ky gurthemel flet për angazhimin konkret të Qeverisë, ministrisë e të komunës së Prishtinës, që të bëjmë atë më të mirën e kësaj sfere.
Ministri Buja duke folur për rëndësinë e ndërtimit të këtij objekti dhe perspektivën e bujqësisë në Kosovë, tha se perspektiva është bujqësia dhe veterinaria, për faktin e gjithë mundësive dhe kapaciteteve që ka Kosova për të realizuar këtë gjë.
Kapacitete intelektuale, pedagogjike i kemi dhe këtë e kemi dëshmuar edhe në arenën kombëtare e ndërkombëtare, tha në fund ministri Buja.
Të pranishmit i përshëndeti edhe rektori i universitetit Hasan Prishtina, Ibrahim Gashi, si dhe kryetari i komunës së Prishtinës, z.Isa Mustafa.