Vetëvendosje! kërkon arrestimin e menjëhershëm të Nexhat Çoçajt
Prishtinë, 4 mars - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren ka vlerësuar se skandalet e publikuara së fundmi flasin qartë për gjendjen e pashpresë në arsim, degradimi i së cilës filloi nga pushtetet e paraluftës dhe kulmoi në epokën e Nexhat Çoçajt.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren shpreh habinë për mosveprimin e organeve të drejtësisë për pretendimet e shumta për parregullsi në këtë sektor.
Sipas legjislacionit në fuqi, Prokuroria e Shtetit duhej të vepronte me automatizëm, sipas detyrës zyrtare, sa herë që flitet për vepra të cilat cenojnë ligjet në fuqi.
Gjithashtu Këshilli Prokurorial i Kosovës duhej të vepronte sa herë që ndonjë prokuror nuk i përmbahet funksionit të tij zyrtar. Mirëpo kjo nuk po ndodh edhe kur Prokuroria Publike e Qarkut në Prizren ka zgjedhur heshtjen dhe dorëzimin para krimit, bile edhe në raste kur ka bashkëpunuar haptas me ata.
Rrjedhimisht kemi një situatë ku organet e ndjekjes nuk ndjekin keqbërësit, organet e drejtësisë nuk ndajnë drejtësi për abuzimet e pushtetarëve, kurse në rastet e procedimit të lëndëve ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! janë superproduktiv si në kohë ashtu edhe në procedura. Kjo flet për kapjen e tyre nga krimi.
Këtë e dëshmon më së mirë hudhja poshtë e aktakuzave ndaj drejtorit të DKA-së Nexhat Çoçajt nga prokurorja Ervehe Gashi, në këmbim të punësimit të vajzës së saj në Qendrën për Kompetencë në Prizren.
Mësimdhënësit e rinj nga shtatori e këtej nuk janë futur në lista të pagave me çrast nuk marrin pagë. Më shume se 10 vite mësimdhënësve nuk iu paguhet fare përvoja e punës. Po ashtu mësimdhënësve të cilët kanë përfunduar fakultetin pas LSHP-së nuk iu paguhet rritja e pagës. Shqetësuese mbetet mospagesa e mësimdhënësve udhëtarë që nga nëntori e këndej të cilët nga 2.50 cent në ditë harxhojnë para për udhëtim.
Drejtoria e Arsimit sipas Vetëvendosjes është shndërruar në një strukturë të organizuar kriminale, duke keqpërdor mjete, duke futur militantë në punë, duke shtyrë qytetarë me shkolla të mesme të punojnë si mësimdhënës, duke emëruar struktura të partisë në pushtet pa kurrfarë kriteri ligjor.
Keqpërdorimet fillojnë nga shitjet e blerjet e vendit të punës. Këto keqpërdorime fillojnë prej 500 euro deri në 6000. Ky sekret publik u argumentua nga gazetari Rami Berisha i cili ofroi dëshmi në njësinë e krimeve ekonomike.
Raste të argumentuara sjellë edhe gazetari Fahri Musliu, i cili këtë pohim e ka në të përditshëm Koha Ditore e botuar me 21 janar 2015.
\"Punësimet e mësimdhënësve pa konkurs në shkollën fillore Mati Logoreci, drejtori H. K. punëson djalin e vet A. K. Në shkollën fillore Abdyl Frashëri ish sekretari SH. Q. punëson djalin e vet në të njëjtën pozitë B. K.\"
\"Mësimdhënësit të cilët janë pranuar me shkolla të mesme, N. V. ish drejtor i shkollës së mesme në Lubizhdë të Prizrenit udhëheq një mandat këtë shkollë, tani punon si sekretar shkolle , me shkollë të mesme, madje keqpërdor qindra euro të mjeteve të kësaj shkolle.\"
\"Sekretari i shkollës së mesme në Hoqë të Qytetit uzurpon vendin e punës në mënyrë të paligjshme, pa konkurs dhe me shkollë të mesme, R. B. Në këtë shkollë punojnë edhe mësimdhënës të tjerë me shkollë të mesme\", thuhetë një komunikatë të Vetëvendosjes.
Reshit Kushaj, si zyrtar për tre nivele, kryetar i SBASHKUT, zgjedhet si ushtrues detyre në shkollën e mesme ekonomike, ndonëse ushtron tre funksione publike. Në këtë mënyrë në mënyrë të paligjshme merrë dy paga nga buxheti i komunës.
Keqpërdorimet sipas komunikatës nuk janë vetëm ne konkurset të cilat tanimë publikisht janë të njohura, por edhe në mjete të ndara për shkolla dhe karburante të cilat janë përdorur për veturat e tyre personale.
Keqpërdorimet vazhdojnë edhe në ekskursionet e maturantëve, kur dihet tanimë se secili drejtor e ka tarifën e vet nëse një kompani dëshiron të fitojë tenderin. Gjithashtu drejtoresha e shkollës Ymer Prizreni është larguar nga puna pikërisht për keqpërdorim të buxhetit të shkollës, rast i cili po hetohet edhe nga krimet ekonomike.
Shkollat tona thirren si shkolla publike e në anën tjetër nga prindërit kërkohet participimin për blerjen e inventarit të klasave siç është rasti në shkollën Avdyl Frashri ku me parat e nxënësve mësuesit janë akomoduar me karrige lëvizëse. Tek kjo shkollë ka edhe probleme tjera. Pas një kohe te shkurtër te ndërtimit te shkollës se re, çatia e objektit po pikon. Prindërit janë shqetësuar dhe kanë frikë se mos do tu kërkohet para edhe për rregullimin e çatisë.
Mësimdhënësit që kanë përfunduar programin e AKM mbi një vit, ende nuk janë graduar ne listën e pagave, nuk janë paraparë në ngritjen e te ardhurave, ndërsa në shkollën Lek Dukagjini mësimdhënësve nuk u jepet lista e pagave që ta nënshkruajnë për shkak se ne atë shkollë është punësuar edhe bashkëshortja e drejtorit të DKA-së dhe dyshimet janë se rritja e gradimeve po bëhet në mënyre selektive.
Duke pasur parasysh këtë përmbledhje të shkurtër, mund të përfundojmë se arsimi në Komunën e Prizrenit ka mbaruar.
Që nga trashëgimi i pozitave nëpër shkolla deri tek punësimi jashtë kritereve, që nga abuzimi me paranë publike deri tek shitja e vendeve t punës, që nga punësimet partiake e deri tek punësimet me porosi nga lartë, ky sektor falë qeverisjes kriminale të këtij pushtetit ka arritur në pikën më të lartë të degradimit, bile edhe më keq se sa vitet 90-ta dhe cilësinë më të ulët në këto 50 vitet e fundit.
Për fund, Lëvizja Vetëvendosje! kërkon arrestimin e menjëhershëm të Nexhat Çoçajt dhe përshpejtimin e procedurave ndaj tij.
\"Kërkojmë nga Ramadan Muja që para dorëheqjes së tij, ta shkarkoj nga pozita këtë njeri që e emëroi vetë për dy mandate, i cili për një kohe të gjatë, nga të gjithë qytetarët e Prizrenit, do të mbahet mend si një njeri qe bëri atë që smundi ta bëj asnjë okupator ta shkatërrojë arsimin në Prizren\", theksohet në fund të komunikatës së Vetëvendosjes.