Veseli takoi 150 studentë të Universitetit Fehmi Agani
Prishtinë, 16 nëntor - Në kuadër të angazhimit për rritjen e transparencës dhe të qasjes së qytetarëve në punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot në ambientet e Kuvendit një grup prej 150 studentësh të Universitetit Fehmi Agani të Gjakovës.
Duke u dëshiruar studentëve mirëseardhje në institucionin më të lartë përfaqësues dhe ligjvënës të Republikës së Kosovës, Kryeparlamentari Veseli bëri një përshkrim të funksioneve kushtetuese të Kuvendit, rolit, punës dhe përbërjes së tij, ndërsa u ndal në zhvillimet aktuale dhe perspektiven për të ardhmen.
Kreu i Kuvendit tha Kosova ka kaluar nëpër shumë sakrifica derisa ka arritur momentin kur përfaqësuesit e popullit të ulen në karriget e sallës së legjislativit. Veseli porositi studentët që, krahas përgjegjësive të tyre akademike, të mos jenë indiferentë ndaj zhvillimeve dhe proceseve të rëndësishme nëpër të cilat kalon vendi. Ai kërkoi nga ata që ta ruajnë shtetin dhe institucionet e Kosovës.
Kosova ka të ardhme euro-atlantike dhe ky rrugëtim është i pandalshëm, theksoi Kryetari Veseli.
Kryetari Veseli tha se përmirësimi i kushteve të jetesës për qytetarët dhe krijimi i perspektivës zhvillimore brenda Kosovës është preokupim i vazhdueshëm institucioneve.
Në shenjë falënderimi, Organizata Bashkimi Studentor Fehmi Agani, e nderoi Kryetarin Veseli me një mirënjohje.