Veprimi i parë sindikal shumë i suksesshëm
Prishtinë, 13 janar - Sipas raporteve që kanë arritur nga kryetarët e Këshillit grevist të të gjitha komunave të Kosovës, tregojnë se përveç të gjitha shkollave që janë anëtare të SBASHK-ut, grevës iu kanë bashkangjitur edhe numër i madh i shkollave që për momentin nuk janë anëtare të SBASHK-ut, ku edhe gjatë ditës së sotme kemi pasur anëtarësime të reja.
Gjatë grevës në ndërrimin e dytë, kryetari i SBASHK-ut, z.Rrahman Jasharaj vizitoi komunën e Klinës, gjegjësisht shkollën Ismet Rraci dhe shkollën Fehmi Agani.
Këshilli Qendror Grevist ka marrë informata se në Podujevë 15 shkolla,prej tyre vetëm 3 janë anëtare të SBASHK-ut e kanë thyer grevën. Edhe në Mitrovicë të gjitha shkollat iu përgjigjën grevës, përveç shkollës Ismail Qemali,e cila e theu grevën.
Kjo nuk e zbehë fuqinë e grevës,ngase sipas shënimeve momentale të SBASHK-ut në grevën e sotme një-orëshe kanë marrë pjesë 99% e institucioneve të arsimit fillor dhe të mesëm të Kosovës,që janë anëtare të SBASHK-ut.
Kryetari i SBASHK-ut uron që mos të vijë çështja e mbajtjes së grevës dy-orëshe e datës 22 janar, duke aluduar në realizim të kërkesave para kësaj date, por gjithsesi, para kësaj date do ta ketë një takim me anëtarësinë e këtyre shkollave grevëthyese për të parë nga afër arsyet dhe në mos një gjë e tillë ka ndodhur nga mos informimi i duhur qoftë nga organet qendrore apo lokale të SBASHK-ut.
Pjesëmarrja kaq masive në grevën e së martës,obligon kryetarin dhe stafin tjetër që të këmbëngulë fuqishëm në realizimin e kërkesave të tyre.
Edhe një herë kërkojmë mirëkuptim nga prindërit dhe nxënësit për ditën e sotme dhe paraprakisht për datën 22 janar dhe 30 janar për ndërprerje të mësimit dy-orësh,gjegjësisht një-ditëshe nëse gjendemi në atë situatë pa dëshirën tonë, të aplikojmë këto veprime sindikale (nëse qeveria nuk i plotëson kërkesat tona).
Ndërkohë nëse marrim informata se eventualisht edhe ndonjë shkollë kudo në Kosovë ka punuar, do ta njoftojmë opinionin me emrin e asaj shkolle grevëthyese.