Vendim për aktivitetet jashtëshkollore në shkollat e Prishtinës
Prishtinë, 5 maj - Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi, ua prezantoi sot të gjithë drejtorëve të shkollave të Prishtinës vendimin për mënyrën e organizimit të aktiviteteve jashtëshkollore siç janë dita e shkollës, ceremonia e dorëzimit të certifikatave për nxënësit e klasave të pesta, ceremonia e dorëzimit të diplomave për nxënësit e klasave të nënta, shëtitja njëditore për nxënësit e klasave të nënta, mbrëmja e maturës si dhe ekskursioni jashtë shtetit për maturantë.
Thaçi ka thënë së asnjë aktivitet jashtëshkollor që nuk e rregullon udhëzimi administrativ përkatës, nuk mund të organizohet pa miratimin paraprak të Drejtorisë Komunal të Arsimit ose të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
\"Në të gjitha aktivitetet jashtëshkollore të përfshira në udhëzimin administrativ përkatës dhe në të përfshira në këtë vendim ndalohet rreptësisht konsumimi i pijeve alkoolike, i substancave narkotike si dhe bartja e çfarëdo mjeti që mund të rrezikojë qetësinë, rendin, shëndetin dhe jetën e pjesëmarrësve në aktivitet\", ka theksuar ai.
Për cilindo aktivitete jashtëshkollor të përfshirë në këtë vendim që organizohet me pjesëmarrjen e nxënësve apo prindërve, e i cili për një shkollë e kalon shumën totale prej 300 euro, obligohet Këshilli Drejtues i shkollës përkatëse që të caktojë një komision, i cili do të merret me menaxhimin e të hollave dhe i cili me rastin e përfundimit të aktivitetit duhet të përgatisë raportin financiar, ku do të evidentohen qartë të gjitha mjetet e hyra dhe të gjitha shpenzimet e realizuara.
Bashkëlidhur mund ta gjeni vendimin e plotë të nënshkruar nga Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jusuf Thaçi.